Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme e vlerësoi marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në lidhje me tunelin hekurudhor ndërkufitar, transmeton Protalb.mk.
“Franca përshëndet nënshkrimin e sotëm e marrëveshjes midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që ka të bëjë me ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar. Kjo infrastrukturë strategjike bën pjesë në projektin e zhvillimit të korridorit VIII pan-Evropian që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi”, deklarojnë nga Ministria.
Franca vlerësoi që kjo marrëveshje është dëshmi që dy vendet janë të angazhuara për dialog të besueshëm, në interes të integrimit dhe sigurisë rajonale.
“Kjo marrëveshje dëshmon gjithashtu aftësinë e dy aleatëve tanë për të gjetur rrugën drejt një dialogu të besueshëm dhe frytdhënës, gjë që Franca e mbështet plotësisht, veçanërisht në kuadër të perspektivës së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ndryshe, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit i vendit, Aleksandar Nikolloski, dhe homologu i tij bullgar Grozdan Karaxhov nënshkruan më 6 nëntor Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, i cili është pjesë e linjës hekurudhore të Korridorit 8.
Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian.




