Shkruan: Xhelal Zejneli
Marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Zyrën Ovale
të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në pranë të presidentit të ShBA-së Donald Tramp u
interpretua në mënyra të ndryshme.
Pushtetarët dhe qeveritarët, kryesisht e arsyetuan, ndërkaq partitë politike opozitare të
Kosovës e hodhën poshtë dhe e shpallën tradhti të interesave kombëtarë. Opozita politike e
Shqipërisë marrëveshjen e sipërthënë e përshëndeti, por pa dhënë ndonjë koment më të gjerë.
Analistët politikë e analizuan rastin, varësisht nga fakti se mercenarë dhe shërbëtorë të kujt
janë. Marrëveshjen e komentojnë edhe pjatalarës, byrektorë, qebaptorë, shoferë kamioni.
Këta as e kanë parë dhe as e kanë lexuar. As që e kuptojnë përmbajtjen, vlerën apo rëndësinë
e saj. Kështu ndodh me çdo marrëveshje, madje kudo në botë.
* * *
“Çështja” e Kosovës doli komplekse:
– Kryetari i Serbisë A. Vuçiq thotë prerë: “Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e
Kosovës”;
– Pesë shtete, anëtare të BE-së – Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja –
nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës;
– Rusia dhe Kina, dy fuqi të mëdha me të drejtë vetoje në OKB, nuk e kanë njohur
pavarësinë e Kosovës.
Pa u njohur nga pesë vendet e BE-së që ende s’e kanë njohur, Kosova nuk do të mund
të bëhet pjesë e saj. Pa u arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje të
ndërsjellë, Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e OKB-së.
Kosova nuk duhet me çdo kusht të synojë për t’u bërë anëtare e Kombeve të
Bashkuara. Kosova mbase mund të ekzistojë edhe jashtë ndonjë organizmi ndërkombëtar, por
me kusht që të jetë nën përkujdesjen politike, ekonomike dhe ushtarake të ShBA-së dhe të
Gjermanisë. Jashtë BE-së dhe OKB-së dhe pa përkujdesjen e Uashingtonit dhe të Berlinit,
Kosova mund vetëm të vendnumërojë. Vendnumërimi i Kosovës është në dëm të saj.
S’ka fuqi në rruzullin tokësor, pos ShBA-së:
– që mund ta bindë Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe
tërësinë e saj të tokave apo integritetin territorial;
– që mund t’i bindë pesë vendet e lartpërmendura të BE-së për ta njohur Kosovën si
shtet të pavarur;
– që mund t’i bindë Rusinë dhe Kinën që të mos e parandalojnë anëtarësimin e
Kosovës në OKB.
E gjithë bota e di se shqiptarët Amerikës nuk mund t’i thonë jo. Ata shqiptarë që
pandehin se mund t’i thonë jo Uashingtonit, duhet të tregojnë:
– si do ta detyrojnë Serbinë për ta njohur Kosovën shtet;
– si do t’ia dalin me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë;
– si do t’ia bëjnë me Moskën dhe Pekinin që mund ta pengojnë Kosovën në OKB.
* * *
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 kanë kaluar dymbëdhjetë
vjet. Që atëherë, lidhur me njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë, BE-ja nuk ka bërë
asnjë hapë para. Hap para në këtë pikëpamje s’ka bërë as administrata e presidentit Barak
Obama.
Brenda këtyre 12 vjetëve Kosova nuk shënoi ndonjë zhvillim ekonomik të theksuar,
Serbia ndërkaq u forcua – politikisht, ekonomikisht dhe ushtrarakisht.
Po të analizohen rrethanat në kohën e Konferencës së Rambujesë dhe rrethanat e
sotmet, do të mund të konstatohet:
– Në atë kohë Serbia ekonomikisht ishte e rrënuar;
– Rusia dukej e pakonsoliduar dhe e pavendosur:
– ShBA-ja ishte superfuqi e një bote njëpolare.
– Çështja e Kosovës u mbështet nga ShBA-ja, nga Gjermania, nga Britania e Madhe,
nga Franca, nga Italia dhe nga mbarë bashkësia ndërkombëtare;
– Shqiptarët ishin një, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët; ideal kishin lirinë dhe
demokracinë.
Sot rrethanat kanë ndryshuar:
– Serbia është më e konsoliduar politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht;
– Rusia hiqet më e konsoliduar dhe më e vendosur;
– ShBA-së i duhet të veprojë në një botë bipolare;
– Mbështetja e shteteve të sipërthëna për shqiptarët, përkatësisht për Kosovën ka kohë
që është zbehur,
– Shqiptarët nuk janë një si dikur, janë të ndarë dhe të përçarë. Ideal s’e kanë më
lirinë, demokracinë por pasurimin brenda natës.
Në dhjetëvjeçarin e fundit Serbia:
– I forcoi marrëdhëniet me Moskën dhe me Pekinin;
– Hyri në rrugën e konsolidimit ekonomik;
– Tërhoqi investime nga Rusia, nga Kina, nga Gjermania, nga Franca, nga Turqia etj.
– Krijoi vende të reja pune, e nisi ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore
moderne,
– E pajis ushtrinë e vet me armatime, kryesisht nga Rusia.
Serbia ia bëri me dije Uashingtonit dhe Berlinit: “Po qe se çështjen e Kosovës nuk e
zgjidhni me një kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës, atëherë Serbia do të lidhet me
Rusinë dhe Kinën dhe që të dy do t’i sjellë në Ballkan”.
Nuk duhet harruar se interesat e ShBA-së dhe të fuqive të tjera të Perëndimit nuk
lidhen vetëm me shqiptarët. Interesi i tyre është që të lidhen edhe me Serbinë. Një fuqi e
madhe përkufizon interesa politikë, ekonomikë dhe strategjikë.
Perëndimorët e kanë përkëdhelur Serbinë për dy arsye:
– e para, për interesat ekonomikë të tyre; dhe
– e dyta, për ta reduktuar ndikimin rus mbi Serbinë.
* * *
S’ka dyshim se lëvizje të konsiderueshme ka bërë edhe Kosova. Por ato duken të
pamjaftueshme.
Mbështetja e fuqive perëndimore për shqiptarët është zbehur vitet e fundit për arsye
të caktuara, si:
– Periudha e pluralizmit në botën shqiptare zgjatë pafundësisht. Shqiptarët ende s’kanë
dalë nga faza e tranzicionit;
– Shqiptarët nuk manifestuan aftësi shtetformuese të duhur;
– Procesi i ndërtimit të shtetit ligjor dhe të sistemit demokratik zvarritet pafundësisht,
(Pa ekonomi, fjala demokraci është nocion fiktiv);
– Korrupsioni dhe veprimet e paligjshme të politikanëve dhe të pushtetarëve shqiptarë
gjatë periudhës së trazicionit mori përmasa dramatike me pasoja tragjike për shoqërinë;
– Nepotizmi në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve u shndërrua në pandemi;
– Politizimi dhe partizimi i çdo organizmi publik mori përmasa tronditëse;
– Pasurimi brenda natës i politikanëve dhe i pushtetarëve mori përmasa shqetësues për
shoqërinë;
– Krijimi i hordhisë së analistëve politikë – mercenarë dhe shërbëtorë të shtetit, të
pushtetarëve, të qeveritarëve dhe të partive politike mori dimension grotesk;
– Vënia e mediumeve nën frena të rrepta pushtetarësh që të përkujton veprat e Xhorxh
Oruellit (Georg Orwell, emri i vërtetë Eric Arthur Blair, 1903-1950).
– Zhdukja e klasës së mesme të shoqërisë dhe krijimi i kastës së samurajve;
– Shpërfillja e profesionalizmit dhe avancimi i diletantëve partiakë;
– Nëpërkëmbja e normave etike dhe faforizimi i poltronëve, i oportunistëve, i
konformistëve dhe mediokërve.
Krejt kjo s’është, as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Në rrethana të
tilla shqiptarët zunë vendin e parë në kontinentin e vjetër me vrasje, me hakmarrje, me
gjakmarrje, me ngujim, me hajni, me divorce, trafikim qeniesh njerëzore, me kontrabandë
armësh dhe lëndësh narkotike, me përqindje të lartë vdekjesh në aksidente rrugore. Pasojë e
këtyre skenave beketiane është dyndja masive e popullsisë, shpërngulja e të rinjve, ikja e
trurit, shpopullimi i trojeve shqiptare. I madh e i vogël, ikin, i marrin rrugët pa kthim të botës.
Tani na vinë irakianë, sirianë dhe afganistanas. Ndërkohë, idealistët do të vazhdojnë të thonë:
“Jemi bij të ilirëve dhe popull autokton”.
Për të mos mjaftuar e tërë kjo, në trojet shqiptare u shfaqën do grupe që vajtën në Siri
dhe në Irak për t’iu bashkëngjitur ISIS-it. Këndej kërkon ndihmën e perëndimorëve për
Kosovën, në anën tjetër përfshihesh në një luftë që s’ka të bëjë me ty, e që është kundër
interesave perëndimorë.
Shqiptarët duhet ta rrisin cilësinë në arsim dhe ta zhvillojnë sistemin shëndetësor. Me
dekada shqiptarët e Kosovës, kundrejt shumave të mëdha vijnë për mjekim në spitalet publike
apo private të Shkupit.
* * *
Pa ShBA-në, Kosova s’do ta kishte lehtë të mbrohej vetë. Por angazhimi amerikan për
mbrojtjen e saj, me siguri ka çmim. Me fjalë të tjera, është në interes të Uashingtonit që
ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të arrihet një zgjidhje në mënyrë që Kosova të mos ketë
nevojë për mbrojtje nga jashtë.
Marrëveshja e Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë nuk është historike. Nuk mund të
jenë historike marrëveshjet ekonomike. Historike janë kryesisht marrëveshjet politike. Do të
merrej si historike një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do të nënkuptonte
njohjen e ndërsjellë. Do pjesë të kësaj marrëveshjeje i hyjnë në punë Trampit për zgjedhjet
presidenciale të 3 nëntorit të vitit në vazhdim. Për shembull:
– Njohja e Kosovës nga Izraeli, e në veçanti vendosja e ambasadës së Kosovës në
Jerusalem. Kjo ka rëndësi për botën hebraike në ShBA;
– Në pikëpamje energjetike, Serbia pothuajse 100 për qind varet nga Rusia. Pas kësaj
marrëveshjeje, sa u përket nevojave energjetike, Serbia do të jetë më pak e varura nga rusët.
Sipas kabinetit të Trampit, Serbia me këtë i largohet Moskës dhe i afrohet Perëndimit.
Pak gjasa ka që Serbia ta zhvendosë ambasadën e vet prej Tel-Avivit në Jerusalem.
Madje një gjë e tillë nuk parashikohet në dokumentin serb. Kjo parashikohet vetëm në
dokumentin e Kosovës.
Marrëveshja ekonomike ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Abdulla Hotit dhe
kryetarit të Serbisë A. Vuçiqit, fare nuk i hyn në punë qytetarit apo votuesit amerikan.
A do të realizohet kjo marrëveshje, apo do të mbetet një letër pa vlerë?! Po sikur më 3
nëntor të ngadhënjejë Xho Bajdeni, atëbotë ç’do të ndodhë me të?!
Ka analistë eminentë në ShBA që thonë se në këtë marrëveshje nuk ka humbës.
Serbia me këtë marrëveshje nuk ka dalë humbëse. Ka kohë që Beogradi i vardiset Trampit.
Ç’prej kohësh përpiqet t’ia mbushë mendjen se serbët kanë qenë për të dhe jo për oponentët e
tij. Kabineti i Trampit qëmoti ka thënë: “Uashingtoni do të pranojë çdo marrëveshje për të
cilën bien dakord të dyja palët”. Në krahasim me qëndrimin e administratës amerikane
paraprake, për Kosovën ky qëndrim paraqet një hap prapa. Qëndrimi i administratës
paraprake vërtet ishte i paluhatshëm, por ishte edhe i pafrytshëm. Administrata e Barak
Obamës brenda dy mandateve nuk ia doli ta mbyllte çështjen e Kosovës sipas planit të Marti
Ahtisarit.
Infrastruktura rrugore moderne i nevojitet çdo vendi dhe rajoni të botës. Por, duke
marrë parasysh faktin se ekonomia serbe është shumë më e fortë se ajo e Kosovës dhe se
eksporti serb në Kosovë ka qenë shumë më madh se importi, atëherë ekziston rreziku që këto
autostrada dhe hekurudha të shpejta që do ta lidhnin Kosovën me Serbinë – ta shndërrojnë
Kosovën në neokoloni serbe.
* * *
Prishtina duhet t’i kërkojë Beogradit që t’i japë fund gjenocidit të heshtur ndaj
shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Nga bisedimet e Brukselit s’duhet pritur gjë. Ato do të mbyllen pa një rezultat
përfundimtar. Nuk ekziston subjekt politik evropian. S’ka marrëveshje përfundimtare pa
Uashingtonin. Kërkesa e Beogradit për një marrëveshje kompromisi nënkupton krijimin e një
entiteti serb në Kosovë, e një republike serbe, e një dodik-republike.
S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i detyrojë shqiptarët për të krijuar në tokën
dardane shtet brenda shtetit.