“Marrëveshja e Prespës është kushtetuese”

Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosi të mos fillojë procedurë për nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Edhe pse ligji u publikua vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, por pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm Gjorge Ivanov, sipas gjykatës, marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe se mos nënshkrimi i dekretit nuk ndikon.

“Gjykata Kushtetuese vlerëson se dekreti nuk mban norma ligjore, nuk është rregull, është pjesë nga procedura dhe kur Gjykata Kushtetuese anulon ligj, dekreti nuk anulohet në veçanti. Vullneti i deputetëve personifikohet me vullnetin e qytetarëve, përballë vullnetit të një njeriu. Për shkak se tek ne sistemi është demokraci parlamentare dhe jo monarki, sovraniteti rrjedh nga qytetarët, dhe atyre u takon, Kushtetuta dhe ligjet vlejnë njëlloj për të gjithë, edhe për Presidentin.”- deklaroi Dobrilla Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Kacarska më tej sqaroi se Gjykata kushtetuese nuk ka kompetenca të vendos për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj sipas saj, nuk ka kushte që të hyjnë në analiza.

“Edhe nëse anulohet ligji, marrëveshja mbetet. Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca të vlerësojë marrëveshje ndërkombëtare. (ngjitje 06,35) Gjykata Kushtetuese vetëm mund të vlerësojë nëse ligji për ratifikim është sjellë sipas procedurës së paraparë nga ana e trupit të autorizuar, që në këtë rast është Kuvendi.”- Dobrilla Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetarja e Kushtetueses u shpreh se gjykata nuk futet në përmbajtjen e marrëveshjes. Sipas saj, edhe nëse anulohet ligji për ratifikim të marrëveshjes së Prespës, i njëjti sipas saj, mbetet në fuqi dhe prodhon detyrim ndërkombëtar ligjor deri sa nuk ndërpritet ose anulohet në përputhje me rregullat ndërkombëtare për marrëveshjet mes shteteve.