Drejtori i Interit, Beppe Marotta në një intervistë, diskutoi për punën brenda një buxheti të rreptë nga pronarët “Suning Group” si dhe tregoi për marrëveshjen më të vështirë në karrierën e tij, që ishte shitja e Paul Pogba te Manchester United.
Shefi i Nerazzurrëve ishte i ftuar në ceremoninë e shpalljes së emrave për çmimin “Golden Boy” për vitin 2023, ku dhe u pyet për punën e tij shumëvjeçare në futbollin italian.
“Negociatat për Pogban ishin më të vështirat, bisedimet u zhvilluan për tre ditë pa ndërprerje, të mbyllur në një hotel me drejtorët e Manchester United”, zbuloi fillimisht Marotta.

“Në të njëjtën kohë, ne nënshkruam me Gonzalo Higuain, por fillimisht duhej të shisnim Pogban për të mbledhur fondet. I kisha kërkuar Andrea Agnelli-t leje për të vazhduar, gjë që ishte paksa e rrezikshme, pasi Gonzalo mund të kishte shkuar në Barcelonë”, vazhdoi Marotta.
Pogba u transferua si lojtar i lirë nga Manchester United me Marottan që udhëhoqi negociatat në vitin 2012, më pas Juventusi e shiti atë në “Old Trafford” për mbi 100 milionë euro vetëm katër vjet më vonë.




