Markle shfaqet në Javën e Modës në Paris

Dukesha e Sussexit, Meghan Markle, është shfaqur në Javën e Modës në Paris të shtunën, duke marrë pjesë në sfilatën e shtëpisë së modës Balenciaga, për të mbështetur mikun e saj dhe drejtorin e ri kreativ të markës, Pierpaolo Piccioli.

Vizita e saj, që erdhi pas një udhëtimi përtej Atlantikut, shënoi herën e parë që ajo merr pjesë në këtë ngjarje të modës pas më shumë se një dekade.

Një zëdhënës i dukeshës tha se Meghan ka veshur disa herë krijime të Picciolit ndër vite, dhe se ata kanë bashkëpunuar ngushtë për veshje të dizajnuara për momente kyç në skenën ndërkombëtare.

“Meghan e ka admiruar prej kohësh mjeshtërinë dhe elegancën moderne të tij, dhe mbrëmja e së shtunës nuk ishte përjashtim,” tha zëdhënësi. “Kjo pjesëmarrje reflekton kulmin e shumë viteve miqësi dhe bashkëpunimi artistik”, shkruan BBC.

Dukesha konfirmoi mbërritjen e saj në Paris me një video në Instagram Story, ku shfaqej duke udhëtuar me veturë nëpër rrugët e kryeqytetit francez drejt sfilatës. Për ngjarjen, ajo kishte veshur një kostum të bardhë me pantallona të gjera dhe xhaketë nga koleksioni i Balenciagës, të kombinuara me taka të zeza me majë të mprehtë dhe flokët të kapur në stil elegant. Më vonë, ajo u fotografua me një fustan të zi klasik.

Java e Modës në Paris zgjat deri më 7 tetor dhe përfshin sfilata nga emra të mëdhenj të modës si Louis Vuitton, Dior, Chanel dhe Hermes.

Meghan, e njohur më parë për rolin e saj në serialin “Suits”, së fundmi është paraqitur në një seri në Netflix, ku foli për stilin e saj të përzier “high-low” – kombinimin e modës së “shtrenjtë” me veshje të përballueshme. Më herët këtë vit, ajo lansoi gjithashtu një dyqan digjital ku ndjekësit mund të blejnë sugjerimet e saj për veshje, aksesorë dhe bizhuteri.

Vizita e fundit e njohur e dukeshës në Mbretërinë e Bashkuar ishte në shtator të vitit 2022, kur mori pjesë në një ngjarje bamirësie dhe qëndroi pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, së bashku me Princin Harry.

Ndërkohë, Princi Harry u takua me babanë e tij, Mbretin Charles, muajin e kaluar, mes spekulimeve për një pajtim. Ai ka bërë disa vizita në Mbretëri vitet e fundit për ngjarje bamirësie dhe çështje gjyqësore.

Këtë javë, Harry u paraqit në mënyrë virtuale në një seancë të Gjykatës së Lartë në një proces kundër botuesit të Daily Mail.