Market Vision, instituti që nxori fitues VMRO-në dhe BDI-në, tani hyn në “luftë” me zyrën e BE-së

“Nëse në një anketë prin VMRO-DPMNE-ja te maqedonasit, nuk ka nevojë ta lexoni deri në fund, sepse dihet që te shqiptarët BDI-ja del e para”. Kjo është shakaja që po qarkullon mes gazetarëve e që aludon në bashkëpunim parazgjedhor mes VMRO-së dhe BDI-së, madje edhe kur janë në pyetje anketat.
Anketën e fundit ku VMRO-DPMNE është e para te maqedonasit, e BDI e para te shqiptarët e nxori Market Vision nga Shkupi, duke sjellë pak freski dhe gëzim për simpatizuesit e tyre, pas “shuplakave” që morën nga anketat e Instituteve amerikane. Pikërisht kjo kompani, përmes TV Sitellit, e akuzon zyrën e Bashkimit Evropian në Shkup se po kurdisë tenderë.
Market Vision ka aplikuar në një tender të shpallur nga zyra e BE-së por thonë që pa të drejtë janë refuzuar, duke përsëritur akuzën se BE në Shkup po kurdis tenderët për hulumtim të opinionit publik. Kështu që kur lexoni anketat është mirë të keni kujdes se cilave u besoni.