Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht NATO-n dhe do të mbeten pjesë e Aleancës dhe të pranishme në Evropë, duke theksuar se nuk është e nevojshme që Bashkimi Evropian të bëhet plotësisht i pavarur në çështjet e mbrojtjes.
I pyetur nga agjencia gjermane e lajmeve dpa për të komentuar një deklaratë të fundit të kreut të Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber (CSU), lidhur me nevojën që BE-ja të shndërrohet në një “NATO evropiane”, pasi sipas tij, “nuk është më e mundur të mbështetesh pa kushte te SHBA-të”, Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, por këtë ta bëjë në koordinim dhe paralelisht me to.
“Jam absolutisht i bindur se SHBA-të e mbështesin plotësisht NATO-n dhe do të mbeten në Aleancë dhe në Evropë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Ai iu referua gjithashtu vendimeve të samitit të Hagës, ku aleatët u angazhuan të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, duke ia atribuar këtë vendim presidentit amerikan.
“Besoj se ky ka qenë dhe mbetet një nga arritjet më të mëdha të politikës së jashtme të Donald Trump”, tha Mark Rutte, duke nënvizuar njëkohësisht se Bashkimi Evropian është shumë i rëndësishëm për NATO-n, por se 23 shtetet anëtare të BE-së që janë njëkohësisht edhe pjesë e NATO-s përfaqësojnë vetëm një të katërtën e fuqisë totale ekonomike të Aleancës.
“75% mbetet jashtë BE-së”, theksoi ai, duke përmendur Britaninë e Madhe, Norvegjinë, Kanadanë dhe SHBA-të.
Nga ana tjetër, Manfred Weber vijon të mbështesë fuqishëm forcimin e autonomisë mbrojtëse të Bashkimit Evropian dhe së fundmi është shprehur se ndihet “i justifikuar” nga strategjia e re e sigurisë së SHBA-ve dhe qëndrimi i Uashingtonit në negociatat për Ukrainën.
“Parimi është ‘Amerika e Para’”, deklaroi Weber, duke përsëritur qëndrimin e tij edhe në favor të krijimit të një ushtrie evropiane.
© SYRI.net




