Mariçiq: Qëndrimet e Zaevit janë gjithashtu qëndrime partiake

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk se qëndrimet e shprehura nga kryetari i partisë dhe kryeministri Zoran Zaev janë qëndrime të LSDM-së.

“Këto qëndrime janë ndërtuar brenda partisë dhe organeve të saj, këto qëndrime janë qëndrime shtetërore dhe pozicione shtetërore, bazuar në besimin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit”, shkroi Mariçiq.
Ish-kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenovski, paraprakisht kërkoi qëndrim nga udhëheqja e LSDM-së, nëse ata qëndronin pas deklaratave të Zaevit të thëna në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve BGNES.

Nga LSDM-ja kumtuan se qëndrimi i partisë, i Qeverisë dhe kryetarit Zaev, por edhe pozicioni shtetëror është se e ardhmja maqedonase është në Bashkimin Evropian, se maqedonasit me gjuhën e tyre maqedonase hapërojnë përpara drejt Evropës, drejt prosperitetit dhe miqësisë me të gjithë fqinjët.

“LSDM-ja dhe qytetarët maqedonas zgjodhën të ardhmen dhe zgjodhën të hapërojnë përpara, shumë kohë më parë, ndërsa Cërvenkovski është histori. LSDM-ja ishte, është dhe do të mbetet parti shtetndërtuese dhe gjithmonë e ka përforcuar shtetndërtimin e saj në momente jashtëzakonisht të rëndësishme”, thuhet në kumtesën e partisë, e cila më parë ishte shpërndarë në postime të ndara në Fejsbuk nga zëvendëskryeministrat Lupço Nikollovski dhe Radmila Shekerinska.