Ish kryeministri Buçkovski mbështet Zaevin

Ish kryeministri Vllado Buçkovski në deklaratë për NOVA në lidhje me serinë e reagimeve për intervistën e kryeministrit Zoran Zaev për BGNES, tha se nuk është në rregull dikush të “akuzohet” për shitje të historisë kur në të njëjtën kohë, siç theksoi, sinqerisht lufton për të ardhmen tonë evropiane.

“Maqedonia po e përjeton katarzën e saj. Për mua kjo është Deja Vu. Unë tentova që në vitin 2006 pas takimit me kryeministrin bullgar Stanishev të negocioj për të ardhmen tonë të përbashkët në BE, në bazë të historisë sonë të përbashkët dhe shfaqëm gatishmëri për festim të përbashkët të Shën Cirilit dhe Metodit dhe Kryengritjes së Ilindenit”, theksoi Buçkovski në deklaratë.
Ai theksoi se para 14 viteve ishte pritur me thikë nga disa media, ndërsa tani 14 vjet më vonë një kryeministër tjetër “akuzohet” për shitje të historisë sonë.

“Pse? Sepse, sipas meje, lufton sinqerisht, me tërë forcën, për të ardhmen tonë”, theksoi Buçkovski në deklaratë.