Mariçiq: Bashkëpunimi me Bullgarinë po zhvillohet, qytetarët kanë dobi

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për Nova TV, tha se me vendosjen e metodologjisë së re për bashkëpunim sektorial, progresi ndërmjet Shkupit dhe Sofjes nga janari e deri më tani është konstant dhe intensiv.

“Të enjten në Sofje diskutuam dhe ramë dakord për bashkëpunim të ri konkret në kuadër të grupit punues për bashkëpunim evropian – tranzicioni i gjelbër, transformimi digjital dhe sundimi i ligjit. Këto janë hapa të përbashkët jashtëzakonisht të rëndësishëm që ne ramë dakord t’i ndërmarrim së bashku dhe të cilët nga njëra anë përshpejtojnë agjendën tonë reformuese, dhe nga ana tjetër sjellin përfitime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve maqedonas dhe bullgarë”, tha Mariçiq.

Sa i përket punës dhe rëndësisë së grupeve të punës, Mariçiq beson se kjo mënyrë e punës tregon se qeveritë e të dy vendeve mbajnë komunikim të rregullt, kryejnë shpejt detyrat që i vendosin vetes dhe në këtë mënyrë sigurojnë përparim në bashkëpunim.

“Mendoj se sa më shumë të kemi sukses nga puna e grupeve sektoriale, aq më lehtë dhe më shpejt do të kapërcehen çështjet e hapura politike dhe kjo çon drejtpërdrejt në fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE”, tha Mariçiq, duke shtuar se bëhet fjalë për dinamikë të shpejtë dhe tashmë është rënë dakord që takimi i radhës i punës të jetë në Shkup, në fillim të prillit.