Maqedonia po shkon drejt ndarjes!

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Këtyre ditëve Zaevi është në hall të madh dhe po kërkon ndihmën e opozitës për një qeveri të zgjeruar. Tregtari nga Strumica po bën matematika dhe makinacione për ta përforcuar pushtetin, të paktën deri në zgjedhjet lokale, që do mbahen në tetor të këtij viti.

Ka politikanë shqiptarë që janë të gatshëm t’i hyjnë kësaj valle, pa e kuptuar se nuk mund të ketë rahati për shqiptarët në Maqedoni pa ndryshuar rrënjësisht i gjithë sistemi politik, i cili në thelb është antishqiptar.

Gruevski në fillim i mashtronte shqiptarët duke shkuar për Bajram në xhami, e më pas kërkonte ta realizonte operacionin hitlerian ‘Kolibri’ ndaj shqiptarëve etnik këtu. Edhe Zaevi në fillimi shfaqej gjoja i mirë me shqiptarët, madje mori vota masive edhe në zonat shqiptare që njiheshin si betejat më të lavdishme të UÇK-së në vitin 2001, por në fund vazhdoi gjurmëve të pasardhësit të tij. Nesër do të vij edhe Gorani apo Sllagjani, por për shqiptarët nuk do të ndryshoj asgjë.

Përderisa tek partitë maqedonase nuk ndodhin reforma rrënjësore dhe nuk vijnë politikanë me mentalitet të ri, që diversitetin etnik e shohin si pasuri, e jo si kërcënim, nuk do të ketë të ardhme dhe prosperitet për këtë vend. Madje, me këto politika do ti detyrojnë shqiptarët që të kërkojnë federalizim, kantonizim apo forma tjera që ofrojnë një jetë me dinjitet për ta dhe reflektojnë fuqinë e tyre reale politike.

Prandaj, partitë politike shqiptare kot e shpëtojnë dhe i sigurojnë numra Zaevit. Situata, nuk do ndryshoj, do të vij një Zaev tjetër që do vazhdoj ti përdorë mekanizmat dhe shtetin policor kundër shqiptarëve. E vetmja mundësi është që shqiptarët të unifikohen. Le të ketë garë politike dhe pluralizëm, por, për çështjen shqiptare të ulen gjithmonë në një tryezë të përbashkët. Të paktën, të bashkuar rreth kërkesave shqiptare të shkaktojnë kriza politike që të ndërhyjë faktori ndërkombëtar.