Maqedonia nuk rrezikohet nga stuhia Kiara, por do të ketë erëra të fuqishme

Cikloni Kiara që ka goditur Evropën, nuk pritet të arrijë në Maqedoninë e Veriut. Këtë e konfirmojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Megjithatë ata thonë se këto ditë vendin do ta kaploj erë e përforcuar veriperëndmore.

Dushanka Tanuseva, sinoptike

“Për tani nuk ka mundësi që ai ciklon të vijë tek ne. Megjithatë do të ketë erë të përforcuar, më shumë në pjesën veriperëndimore të vendit, pra erë mesatare deri në të përforcuar, që rrezikon vetëm erë më të madhe”.

Ndërkaq, era që shoqëron ciklonin Kiara është me shpejtësi të lartë, ndërsa stuhia ciklonare që ka goditur Europën, me erë të fortë me shpejtësi mbi 130 km/h, pritet që të prekë edhe Shqipërinë. Sipas sinoptikanëve, në mesjavë pritet ndryshim drastik moti, me temperatura nën zero dhe reshje dëbore.

Cikloni Kiara ka goditur Europën Perëndimore këtë fundjavë duke shkaktuar mot ekstrem. Vendet që parashikohen të goditen më shumë janë Britania, Franca, Belgjika dhe Holanda.

Përndryshe, më shumë se 20 mijë shtëpi në Britani të Madhe kanë mbetur pa energji elektrike gjatë natës së mbrëmshme për shkak të stuhisë Kiara, e cila ka sjellë reshje të mëdha të shiut dhe erëra të fuqishme. Kompanitë e rrjetit elektrik kanë raportuar se 18 mijë e 500 shtëpi ende nuk kishin rrymë as të hënën në mëngjes në pjesën juglindore të Anglisë. Në rajonin perëndimor, raportohet se 2800 shtëpi të tjera kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike. Në disa rajone, për 24 orë ra më shumë shi sesa mesatarja e reshjeve për një muaj e gjysmë, ndërsa erërat e arritën shpejtësinë në 145 kilometra në orë. Era poashtu ka ndikuar që një fluturim i kompanisë “British Airways” nga Nju Jorku në Londër të kryhet për kohë rekord.