Maqedonia i ofroi ndihmë Zvicrës: “Mjekët tanë mund të ndihmojnë në trajtimin e të lënduarve në zjarr”

Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmë se po shqyrton mundësitë dhe kapacitetet në dispozicion për t’i ofruar mbështetje të përshtatshme Zvicrës në aspektin e trajtimit mjekësor të të lënduarve nga zjarri tragjik në Kran-Montana. Në këtë drejtim shtuan se, Ministria e Shëndetësisë tashmë po vepron në koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim të RMV-së, ndërsa përmes Qendrës Koordinuese të BE-së për Reagim ndaj Emergjencave (EU ERCC) është vendosur një kanal komunikimi edhe me autoritetet shëndetësore në Zvicër, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme nga ana tjetër, Timço Mucinski, njoftoi dje pasdite se pati bisedë telefonike me ambasadorin zviceran në vend, Christoph Sommer, pas aksidentit tragjik.

Në bisedën me të, Mucunski i tha ambasadorit se vendi është në dispozicion të Zvicrës në përballimin e kësaj tragjedie.

“Shpreha gatishmërinë e vendit tonë për të pranuar pacientë të lënduar dhe për të ofruar mbështetje të përshtatshme mjekësore në institucionet tona shëndetësore. Përveç kësaj, nëse është e nevojshme, jemi të përgatitur edhe që mjekët – specialistë nga Maqedonia, të cilët ishin të përfshirë drejtpërdrejt në trajtimin pas tragjedisë në Koçani, të nisen menjëherë për në Zvicër dhe të ndihmojnë në procesin e trajtimit”, shkroi Mucunski në profilin e tij në Facebook.

Policia zvicerane tha se rreth 40 persona vdiqën në zjarr dhe 115 u plagosën, mirëpo tani raportohet se janë 47 të vdekur. Megjithatë, mediat raportuan se shumica e mysafirëve në bar ishin midis moshës 15 dhe 20 vjeç. Midis të vdekurve ka njerëz të kombësive të ndryshme.