Dje Ministria e Jashtme e Maqedonisë dërgoi notë verbale ndërsa sot provokime të reja nga Bullgaria në seancën e parë të kuvendit 48-të.
“Kemi për obligim që ta mbrojmë interesin bullgar nacional në shtetin e dytë bullgar në Europë, Maqedoninë ose siç e ka emrin tani Maqedoninë e Veriut”, tha Kostadin Kostadinov, kryetar i “Rilindjes”.
Kërkohet edhe kthimi i vetos ndaj Maqedonisë në rrugën e saj drejt BE-së.
“Ne nga BSP-ja nuk e përkrahëm vendimin e Parlamentit për të dhënë dritë jeshile për anëtarësimin e RMV-së në BE. Ne kishim argumentet tona. A po e shihni se çfarë po ndodh gjatë ditëve, javëve, muajve të fundit? Në emër të mbrojtjes së popullit bullgar, propozojmë një Deklaratë, të cilën Parlamenti duhet ta miratojë, e me të cilën do ta dënojmë gjuhën e urrejtjes, agresionin, nënçmimin e flamurit dhe simboleve bullgare, himnit dhe popullit bullgar”, tha Kornelija Ninova, kryetare e Partisë bullgare socialiste.
Në mbështetje të kësaj ideje doli edhe partia e Sllavi Trifunovit, i cili nuk arriti të sigurojë asnjë deputet në Kuvendin e 48-të të Bullgarisë.
“Nëse Bashkimi Europian ende i kultivon vlerat njerëzore që i proklamon, menjëherë duhet ta ngrijë kandidaturën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Union”, pohoi Sllavi Trifunov, “Ka një popull të tillë”
Seancën e parë udhëheq deputeti më i moshuar, ndërsa në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Për herë të parë në historinë më të re parlamentare në Bullgari, për këtë post janë paraqitur katër kandidatë.