Maqedonia e Veriut pjesë e “EU4Health”! Aliu: Fondet evropiane për shëndetësinë do të kthehen në projekte konkrete

Maqedonia e Veriut ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrje në programin evropian EU4Health, me buxhet prej 4,4 miliardë eurosh, duke fituar mundësinë të aplikojë për fonde, grante dhe projekte që synojnë modernizimin e sistemit shëndetësor. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, programi do të mbështesë zhvillimin e shëndetësisë digjitale, parandalimin e sëmundjeve, onkologjinë, shëndetin mendor dhe forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor, ndërsa projektet e financuara do të përjashtohen nga TVSH-ja dhe detyrimet e tjera fiskale.

“Marrëveshja parashikon përjashtimin nga TVSH-ja, doganat dhe detyrimet e tjera fiskale për mallrat dhe shërbimet e financuara përmes programit. Kjo është e rëndësishme, sepse fondet evropiane duhet, në masën më të madhe të mundshme, të drejtohen për realizimin e projekteve me interes publik dhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët”, tha Azir Aliu.

Ministria e Shëndetësisë do të nisë zbatimin e fazës së ardhshme të programit EU4Health, duke prezantuar mundësitë e tij dhe duke përgatitur institucionet shëndetësore për aplikime në projektet evropiane.

 

 

“Si Ministri jemi të përgatitur dhe që nga java e ardhshme fillojmë me fazën e radhës – prezantimin aktiv të programit, identifikimin e përfituesve të mundshëm dhe përgatitjen e institucioneve për pjesëmarrje në thirrjet evropiane. Qëllimi ynë është që këtë mundësi ta afrojmë pranë universiteteve, fakulteteve të mjekësisë, klinikave, spitaleve, instituteve, shoqatave profesionale, organizatave të pacientëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë relevantë në sistemin shëndetësor”, deklaroi Aliu.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se mbeten të përkushtuar në shfrytëzimin e mekanizmave evropianë për avancimin e kujdesit shëndetësor dhe krijimin e një sistemi shëndetësor më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për qytetarët./TV21