Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s është pjesë e luftës kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave që kanë të bëjnë me pandeminë e koronavirusit.
Ekspertët thonë se ndihma e NATO-s është mëse e nevojshme në këtë sfidë që ka të bëjë me luftën kundër lajmeve të rreme, për shkak se qytetarët në masë të theksuar kanë humbur besimin tek institucionet relevante të shtetit, andaj shtojnë se për këtë arsye u duhet një ombrellë e fuqishme mbrojtëse siç është aleanca veri-atlantike.
Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha para gazetarëve se NATO tashmë është duke formuar një ekip të specializuar ndaj kërcënimeve hibride në Maqedoninë e Veriut ashtu siç tashmë është formuar në Malin e Zi, pasi dezinformatat dhe lajmet e rreme të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, kanë marrë hov me shpërthimin e krizës së pandemisë së koronavirusit.