Maqedonia do të marrë mbështetje në përpjekjet e saj për të avancuar arsimin e lartë nga
Egjipti, vend universitetet e të cilit po ngjiten me shpejtësi në rang listën globale ndërsa do të
thellohet bashkëpunimi dypalësh në fushën e shkencës dhe kërkimeve. Kjo u konfirmua gjatë
takimit mes ministres së Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Vesna Janevska, dhe ministrit
egjiptian për Arsimin e Lartë dhe Kërkime Shkencore, Prof.Dr. Mohamed Ajman Ashur, që u
mbajt sot në Kajro.
Trupi punues i përbërë nga përfaqësues që do të emërojnë ministritë përkatëse të të dyja
shteteve do të përcaktojë aktivitete konkrete që do të thellojnë bashkëpunimin dhe do të
shqyrtohen mundësitë për krijimin e programeve të përbashkëta studimore me diploma të
dyfishta. Në fokus do të jenë arsimi i lartë në fushën e mjekësisë dhe shkencave teknike, me
theks të veçantë në inxhinierinë kompjuterike dhe bujqësinë.
Ministrja Janevska prezantoi ndryshimet që kanë filluar në fushën e arsimit të lartë në
Maqedoni, duke theksuar se aktualisht është duke u përgatitur edhe zgjidhje e re ligjore
ndërsa efektet e planit të reformës priten në afat mesatar prej 5 vjetësh. Gjithashtu u fokusua
në rritjen e konsiderueshme të buxhetit për shkencën dhe financimin e numrit të rritur të
projekteve shkencore dhe kërkimore me interes për shtetin dhe opinionin, miratimin dhe
zbatimin e Strategjisë për specializim intelegjent të shtetit, ndërsa gjithashtu theksoi se
Ministria ka iniciuar procedurë për themelimin e parkut të parë shtetëror shkencoro-
teknologjik, i cili do të jetë nën juridiksionin e shtetit.
Ministri Ashur prezantoi pikat e forta të sistemit të arsimit të lartë egjiptian dhe politikat që
ndihmojnë në përshpejtimin e avancimit të universiteteve shtetërore në rangimet
ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë që gjatë këtij muaji të formohet trupi punues përmes
të dy shteteve, ndërsa herën tjetër do të mbahet takim i drejtpërdrejtë i rektorëve të gjashtë
universiteteve shtetërore të Maqedonisë dhe rektorëve të atyre më të shquara egjiptiane, siç
është Universiteti i Kajros. Ai ndau përvojën kombëtare me krijimin e parqeve shkencore dhe
teknologjike dhe qendrave të ekselencës, që do të jetë shumë e dobishme për Maqedoninë për
të realizuar të njëjtin qëllim.
Ministrja Janevska prej dje është në Kajro ku po mbahet Kongresi Global për Popullatën,
Shëndetësinë dhe Zhvillimin e Kapitalit Njerëzor. Do të marrë pjesë në disa panel diskutime,
dhe do të jetë mbajë fjalim hyrës në sesionin kushtuar arsimit joformal si koncept i mësimit
të përjetshëm. Gjatë ditës së nesërme do të takohet edhe me ministrin egjiptian për arsimin
fillor dhe të mesëm, Mohamed Abdel Latif.




