Mancini: Italia nuk duhet të humbasë më kurrë një Kupë të Botës

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini shpreson që kombëtarja e tij të mos humbasë kurrë më një Kupë Bote.
‘Azzurrët’ janë të detyruar të shikojnë turneun e Katarit nga shtëpia pasi humbën play-off me Maqedoninë e Veriut, pasi përfunduan në vendin e dytë në grupin kualifikues pas Zvicrës, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer nga moskualifikimi dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë më kurrë, sepse Italia duhet të jetë gjithmonë në Kupën e Botës”, tha Mancini për një medie italiane.

“Mund të jetë paksa e çuditshme Kupa e Botës, por është ende një Kupë Bote dhe do të ishte më mirë të isha atje.”

Përpara vitit 2018, Italia ishte kualifikuar në çdo Kupë Bote përveç 1958, por tani ka munguar në dy radhazi.

Megjithatë, ata janë gjithashtu kampionët në fuqi të Evropës pasi mposhtën Anglinë me penallti në finalen e EURO 2020.