Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një dekret të ri për regjimin e vizave, duke përafruar politikën e saj me atë të Bashkimit Evropian.
Sipas vendimit, nga 1 nëntori 2026, shtetasit e Bjellorusisë, Kinës, Rusisë, Arabisë Saudite dhe Turqisë do të kenë nevojë për vizë për të hyrë në territorin malazez.
Ministria e Punëve të Jashtme ka theksuar se ky ndryshim është pjesë e detyrimeve të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht po merren masa për ta bërë procesin sa më të thjeshtë dhe të arritshëm.
“Procesi i marrjes së vizës malazeze do të mbetet i lehtë dhe i aksesueshëm për qytetarët e këtyre vendeve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Një risi e rëndësishme është se aplikimet për vizë nuk do të dorëzohen më vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Malit të Zi.
Falë bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare VFS Global, aplikantët mund të dorëzojnë dokumentet e tyre në qendrat e aplikimit për vizë në vende si India, Bangladeshi, Kirgistani, Azerbajxhani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.
Në muajt e ardhshëm, rrjeti i qendrave do të zgjerohet edhe në Pakistan, Kinë, Armeni, Kazakistan, Filipine, Katar, Arabinë Saudite, Bahrein, Bjellorusi, Nepal dhe Uzbekistan, ndërsa planifikohet hapja e tyre edhe në Jordani, Kuvajt, Tajlandë dhe Indonezi.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se po punon për krijimin e një Sistemi të ri të Informacionit për Vizat, i cili do të jetë i ndërveprueshëm me sistemet e BE-së dhe në përputhje me standardet e sigurisë së Shengenit.
Synimi final është futja e vizës elektronike (e-Visa), që do të lejojë aplikimet online, duke përshpejtuar procedurat dhe duke ofruar shërbime më efikase për qytetarët.
/rtsh.al/



