Mali i Zi udhëheq në rrugën për anëtarësim, Shqipëria progres të rëndësishëm

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka njoftuar se Mali i Zi po udhëheq në planet e anëtarësimit, por progres të rëndësishëm ka arritur edhe Shqipëria, Moldavia e Ukraina.

Gjatë paraqitjes së saj në Parlamentin Evropian, Kos ka theksuar se këta katër kandidatë kanë treguar aspirata të qarta për BE-në.

“Mali i Zi është më i avancuari dhe ka bërë progres të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE dhe është vendi më i përgatitur, por gjithashtu Shqipëria ka arritur progresit të jashtëzakonshëm gjatë vitit të fundit, me angazhim të fortë politik dhe aspirata të qarta për BE. Moldavia gjithashtu ka bërë progres në rrugën e saj, pavarësisht përpjekjeve për ta devijuar atë nga Rusia”, është shprehur ajo, raportoi The Guardian.

Ndërsa për Ukrainën, Kos tha se është e nevojshme të ruhet ky moment dhe të parandalohet çdo rrezik i tërheqjes pas.

Raporti më negativ pritet të jetë ai për Serbinë, e cila në disa fusha nuk ka pasur fare progres, e në disa ka shënuar edhe kthim prapa, raportoi KOHA.

Serbia kritikohet për “ecje prapa” në lirinë e mediave, për mospërmbushje të obligimeve nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën, për mos ndërmarrjen e masave ndaj kryesve të sulmeve në Banjskë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke mos u përshtatur me qëndrimet e Bashkimit Evropian në rastin e sanksioneve.

Nga Serbia kërkohet që të ndërpritet retorika kundër BE-së dhe Perëndimit dhe të komunikohet si duhet qëllimi i Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.