Makina MRI fillon prodhimin masiv

Skaneri i imazherisë së rezonancës magnetike (MRI), i prodhuar në mënyrë të pavarur prej Kinës, ka hyrë në prodhim masiv, duke thyer monopolin e huaj teknologjik që ka vijuar për një kohë të gjatë dhe duke ulur pagesat e shërbimit mjekësor për të sëmurët në vend.

Skaneri, i krijuar nga studiuesit e Institutit të Teknologjisë së Përparuar të Shenzhen-it (SIAT), në varësi të Akademisë së Shkencave të Kinës, është përdorur në Spitalin e Shenzhen-it të Universitetit të Pekinit.

“Cilësia e imazhit nuk është më e ulët se e produkteve të kompanive prodhuese të përparuara ndërkombëtare, ndërsa kostoja është mjaft më e ulët. Skaneri do të pakësojë kryesisht tarifat e vizitës te mjeku,” tha për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Zhang Hui, zëvendësshef teknik në Departamentin e Imazherisë Mjekësore të Spitalit të Shenzhen-it të Universitetit të Pekinit.

Një pacient përgatitet për skanim nga një pajisje MRI e zhvilluar vetë në Kinë në Spitalin Universitar Shenzhen të Pekinit, qytetin Shenzhen, Provinca Guangdong, në Kinën jugore./CMG

Duke krahasuar imazhet e tumorit të marra nga skaneri me ato të disa pajisjeve të vjetra, hulumtuesit arritën në përfundimin që pajisja MRI jo vetëm ofron imazhe relativisht me kontrast të madh dhe qartësi të lartë, por funksionon gjithashtu me një shpejtësi më të madhe, duke u mundësuar mjekëve të kapin lëvizje më të sakta të objektivave.

Li Ye, zëvendësdrejtor i Institutit të Inxhinierisë Biomjekësore dhe Shëndetësore, i tha CMG-së: “Procesi i vjetër i MRI-së ishte si të bëje fotografi, nëpërmjet të cilave pamjet merreshin një nga një. Nëse objektivi lëvizte pak, imazhi përfundimtar do të ishte i paqartë.”

Një ekran kompjuteri tregon imazhet e tumorit të marra nga skaneri i vetë-zhvilluar i Kinës MRI./CMG

“Tani, me një teknologji imazherie kaq të shpejtë, procesi është më shumë si të bësh filma. Nuk kemi nevojë të shqetësohemi për një ind që lëviz, pasi mund ta shohim se si lëviz.”

Në vitin 2022, Instituti mori 3.3 miliardë juanë (rreth 458 milionë dollarë) fonde, 17 për qind nga fondet fikse të departamenteve qeveritare dhe 83 për qind nga bashkëpunimi i ngushtë industrial.