Makina e shumëpërfolur e Merkos do të shitet në ankand. Kush don ta bleje?

Më në fund, makina e shumëpërfolur e ish-kryetarit të Komunës së Strugës do t’u kthehet qytetarëve të Strugës.

Nëpërmjet shitjes së këtij mjeti, i cili u bë viral në mediat e vendit dhe më gjerë si makina “me timon me lëkurë gjarpri” apo si “makina e bukur”, kjo pasuri e tundshme do të kthehet në likuiditet financiar në buxhetin e Komunës së Strugës.

Me mjetet nga shitja e makinës do të blihet një furgon që do të shërbejë për nevojat e administratës dhe klubeve sportive të qytetit.

Komuna e Strugës njofton të gjithë qytetarët e Strugës dhe më gjerë se më 16.03.2026, me fillim në ora 10:00, në faqen e internetit e-stvari.mk, do të mbahet ankandi për shitjen e automjetit, makinë tip Audi, modeli A6.

Shpallja nr. 1/2026 për shitjen e sendeve të tundshme – automjet motorik rrugor, nëpërmjet ankandit elektronik (shpallja e parë), është publikuar tashmë edhe në gazetën zyrtare.

Vlera fillestare për ofertim në ankand për këtë veturë, sipas vlerësimit të ekspertit përkatës, është 1.344.636,00 denarë, respektivisht rreth 21.800 euro.

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, nuk ka shfrytëzuar asnjëherë makinat nga parku vozitës i Komunës së Strugës, duke synuar racionalizimin maksimal të shpenzimeve të larta të krijuara ndër vite.

Njëkohësisht, shfrytëzojmë rastin të përgënjeshtrojmë edhe njëherë lajmet e pavërteta të publikuara më herët në opinion, të cilat pretendonin për një vlerësim fillestar të mjetit nën çmimin e tregut.

Ftojmë të gjitha palët e interesuara që të marrin pjesë në ankandin përkatës.

Në ankand do të publikohen të gjitha informacionet mbi mjetin, si dhe udhëzimet e nevojshme për aplikim.

Në vijim do të publikojmë edhe specifikacionet e detajuara të mjetit, si dhe dokumentacionin përkatës.