Opozitari Peter Magyar ka deklaruar para mbështetësve të tij se zgjedhjet në Hungari kanë shënuar një pjesëmarrje historike.
Ai ka thënë se kurrë më parë në historinë e Hungarisë demokratike nuk kanë votuar kaq shumë njerëz.
Ai u shpreh se partia e tij Tisza jo vetëm që ka fituar zgjedhjet, por sipas tij të gjitha shenjat tregojnë për një shumicë të fortë prej dy të tretash në Asamblenë Kombëtare, gjë që do të mundësonte një transferim paqësor dhe efikas të pushtetit, transmeton Klankosova.tv.
Magyar gjithashtu akuzoi qeverinë aktuale për përdorim të të gjitha mjeteve për të penguar fushatën e tij, duke pretenduar se edhe shërbimet e inteligjencës janë përdorur kundër partisë së tij.
“Ia dolëm. Ne e kemi rimarrë vendin tonë. Kemi fituar një mandat të paprecedentë”, ka thënë Magyar.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve përfaqëson një fitore të të vërtetës ndaj gënjeshtrave.
Ai e mbylli fjalimin me një mesazh simbolik duke thënë “Dashuria fitoi sot, sepse dashuria gjithmonë fiton”, ndërsa falënderoi qytetarët hungarezë për mosfrikën dhe pjesëmarrjen e tyre në votime.



