Macroni i ofronte ndihmë Australisë për zjarret, asnjë fjalë për Turqinë

Turqia po përballet me zjarre masive. Flakët kanë shkaktuar gjashtë viktima dhe kanë djegur mijëra hektarë, duke rrezikuar edhe qendrat bregdetare të pushimeve. Në këso rastesh, bie në sy përkrahja nga vendet tjera, përkatësisht mungesa e saj.

Deri më tani, raportohet se Rusia, Ukraina dhe Azerbajxhani i kanë dalë në ndihmë Turqisë me helikopterë e ekipe emergjente. Raportohet se edhe Greqia ka ofruar asistencë, shkruan Gazeta Express.

Edhe në kohë krizash si kjo me zjarret, duket se raportet politike mes shteteve ndikojnë në ofrimin apo mosofrimin e ndihmës. Të paktën kështu po lihet të kuptohet nga rasti i Francës.

Ishte janari i vitit 2020, kur Australia ishte përfshirë nga zjarret masive, të cilat po shkaktonin viktima e dëme të mëdha në natyrë e infrastrukturë.

Reklamë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kishte ofruar ndihmë Australisë publikisht. “E shpreh solidaritetin tim me popullin australian përballë zjarreve në natyrë, që po e rrënojnë vendin e tyre. E telefonova këtë mëngjes Kryeministrin Scott Morrison për t’ia ofruar asistencën e menjëhershme operacionale franceze për t’i luftuar zjarret, për ta mbrojtur popullsinë e prekur dhe për ta ruajtur biodiversitetin”, kishte shkruar Macroni më 5 janar 2020 në rrjete sociale.

Sidoqoftë, kur kanë kaluar disa ditë nga koha kur filluar zjarret në Turqi, presidenti francez nuk ka dalë me ndonjë deklaratë për zjarret në Turqi, por as në fqinjet evropiane, Itali e Spanjë.

Ndryshe, raportet mes Francës dhe Turqisë janë tensionuar viteve të fundit për disa çështje, përfshirë karikaturat e Profetit Muhamed dhe mosmarrëveshjet e Turqisë me Greqinë për shfrytëzimin e burimeve ujore në Mesdhe dhe Qipron.