Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të afirmohen më fuqishëm në skenën botërore, duke thënë se ka ardhur koha që Evropa të fillojë të sillet si një “fuqi globale”.
Përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe tashmë edhe nga Shtetet e Bashkuara, Macron ka deklaruar për një grup gazetash evropiane se kontinenti po përballet me një “thirrje për zgjim”.
“A jemi të gatshëm të bëhemi një fuqi? Kjo është pyetja në fushën e ekonomisë dhe financave, në mbrojtje dhe siguri, si dhe në sistemet tona demokratike. Në një epokë tjetër do të kishim thënë se është momenti për ta ‘marrë mbi vete shumicën’”, ka thënë Macroni, përpara samitit të BE-së që do të mbahet këtë javë në Bruksel.
Ai ka përsëritur thirrjen e tij për huamarrje të përbashkët në nivel të Bashkimit Evropian, me qëllim sigurimin e qindra-miliardë eurove të nevojshme për investime industriale.
“Ka ardhur koha të nisim një kapacitet të përbashkët borxhi për të financuar shpenzimet tona të ardhshme. Na duhen programe të mëdha evropiane për të financuar projektet më të mira”, ka deklaruar Macroni.
Thirrje të ngjashme në të kaluarën janë pritur me skepticizëm nga Gjermania dhe disa vende të tjera, të cilat besojnë se Franca synon që Evropa të mbajë një barrë financiare, që ajo vetë, për shkak të mungesës së reformave, nuk është në gjendje të përballojë.
Macroni ka pranuar se Franca “kurrë nuk ka pasur një model të balancuar, ndryshe nga disa ekonomi të veriut, të cilat janë ndërtuar më shumë mbi ndjenjën e përgjegjësisë. Dhe ne kurrë nuk kemi pasur reforma si atë të nisura në vitet 2010 në Portugali, Spanjë, Itali dhe Greqi të cilat sot po japin rezultate”, ka thënë ai.



