Macroni flet për Grenlandën, thotë se bota po përjeton kohë rikolonizimi

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka denoncuar të enjten “ligjin e më të fortit” që sipas tij, po i bën njerëzit të “pyesin nëse Grenlanda do të pushtohet”, në një fjalim para ambasadorëve francezë në pallatin presidencial Elysee.

“Është çrregullimi më i madh, ligji i më të fortit, dhe njerëzit e zakonshëm pyesin veten nëse Grenlanda do të pushtohet, nëse Kanadaja do të jetë nën kërcënimin e bërjes shteti i 51-të (i Shteteve të Bashkuara) apo nëse Tajvani do të rrethohet më tej”, ka thënë Macroni.

Në fjalimin e tij, Macroni ka shtuar se bota po “bëhej gjithnjë e më jofunksionale” me multilateralizëm më pak efektiv.

Ai ka përmendur SHBA-në për kërcënimet e fundit që administrata Trump ka bërë ndaj Grenlandës, një ishull gjysmë-autonom në pronësi të Danimarkës, një aleat i SHBA-së në NATO.

“Shtetet e Bashkuara janë një fuqi e vendosur, por që po largohet gradualisht nga disa prej aleatëve të saj dhe po çlirohet nga rregullat ndërkombëtare që promovonte deri vonë, qoftë në tregti, çështje të caktuara sigurie apo forume të caktuara”, ka deklaruar Macron.

Ai ka theksuar gjithashtu se bota po përjeton kohë rikolonizimi.

“Ne, francezët dhe evropianët, i nënshtrohemi retorikës antikoloniale që nuk korrespondon më me realitetet, me praktikat tona, dhe i nënshtrohemi agresionit neokolonial nga disa”, duke iu referuar retorikës së përdorur për shembull nga anëtarët e administratës së Trump, pa i cituar ata.

Komentet e Macroni erdhën ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë të martën se administrata po peshon “opsionet” që mund të përfshijnë veprime ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës, e cila ndodhet në një pozitë strategjike dhe është e pasur me minerale.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka akuzuar të mërkurën Danimarkën se “padyshim” nuk po bën një punë të duhur në sigurimin e Grenlandës dhe se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, “është i gatshëm të shkojë aq larg sa duhet” për të mbrojtur interesat amerikane në Arktik.