Një transkript i rrjedhur i një thirrjeje telefonike midis liderëve evropianë ka zbuluar shqetësime serioze për rolin e SHBA-ve në negociatat për Ukrainën.
Sipas gazetës gjermane Der Spiegel, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara të “tradhtojnë” Ukrainën në çështjen e territoreve pa ofruar garanci të qarta sigurie.
Macron tha se kjo paraqet një “rrezik të madh” për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në thirrje, e cila zhvillohej të hënën dhe përfshinte edhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin polak Donald Tusk, presidentin finlandez Alexander Stubb, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentin ukrainas Zelensky, liderët diskutuan mbi negociatat e udhëhequra nga SHBA-të me Moskën dhe strategjitë për mbrojtjen e Kievit.
Merz theksoi se Zelensky duhet të jetë “jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët në vijim”, duke iu referuar përfaqësuesve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, hëndrit të presidentit Trump, të cilët zhvilluan bisedime pesë-orëshe me presidentin rus Vladimir Putin.
Presidenti finlandez Stubb u shpreh në linjë me Merz: “Nuk mund ta lëmë Ukrainën dhe Volodymyrin vetëm me këta njerëz”, duke marrë miratimin e Rutte. Sekretari i NATO-s shtoi: “Unë pajtohem me Alexander – duhet ta mbrojmë Volodymyrin”.
Thirrja u zhvillua pas shpërndarjes nga administrata Trump e një plani paqeje me 28 pika, që sipas kritikëve, përfshin avantazhe të mëdha për Rusinë. Plani ishte hartuar nga përfaqësuesi i Kremlinit Kirill Dmitriev, Witkoff dhe Kushner, dhe shkaktoi shqetësime të mëdha në Ukrainë dhe mes aleatëve evropianë, duke çuar në negociata intensive në Gjenevë.
Zyra e Macron ka mohuar se presidenti ka përdorur fjalën “tradhti,” ndërsa zëdhënësi i Merz nuk ka komentuar për transkriptin.
NATO gjithashtu ka refuzuar të komentojë. Megjithatë, rrjedhja e bisedës nxjerr në pah shqetësimin e Bashkimit Evropian mbi rolin e SHBA-ve dhe rëndësinë e mbrojtjes së Kievit dhe Presidentit Zelensky në negociatat e ardhshme.




