Macron paralajmëron se do t’i “bezdisë” të pavaksinuarit

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se synon të vështirësojë jetën për njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 në Francë.

“Unë me të vërtetë dua t’i bezdisë ata dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë – deri në fund”, ka thënë ai për gazetën franceze Le Parisien.

Por kundërshtarët politikë kanë thënë se gjuha e fortë që Macron përdori në intervistë nuk ishte e denjë për një president.

Komentet e tij kanë shtyrë deputetët të pezullojnë debatin mbi një ligj që ndalon të pavaksinuarit nga pjesa më e madhe e jetës publike.

Seanca në Asamblenë Kombëtare është ndërprerë për të dytën herë me radhë pasi delegatët e opozitës u ankuan për gjuhën e presidentit, me një figurë kryesore që e kanë përshkruar atë si “të padenjë dhe të papërgjegjshëm”.

Macron ka thënë se nuk synon t’i detyrojë qytetarët të vaksinohen, por ka shtuar se shpreson që qytetarët të vaksinohen duke “ua limituar sa më shumë qasjen në jetën sociale”.

Tutje, presidenti francez ka theksuar se “Unë nuk do të dërgoj (njerëz të pavaksinuar) në burg. Kështu që ne duhet t’u themi atyre, se nga 15 janari, nuk do të mund të shkoni më në restorant, një kafe dhe as në teatër apo kinema”.

Franca ka një prej shkallëve më të larta të Bashkimit Evropian për të vaksinuar. Më shumë se 90 për qind e të rriturve tashmë kanë marrë dy dozat e vaksinës anti-COVID. Për disa muaj ky shtet tashmë kërkon dëshminë e vaksinimit apo testin negativ për të dhenë qasje në organizime publike.

Ndryshe, të martën, Franca raportoi 271 mijë e 686 raste të reja me COVID-19 – numri më i lartë i infeksioneve ditore të regjistruara në vend që nga fillimi i pandemisë.