Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, plani i të cilit ka nxitur greva masive, do të heqë dorë nga pensioni i veçantë presidencial, kur të largohet nga pozita e tanishme.
Sipas një ligji të vitit 1955, presidentët e Francës e gëzojnë një pension prej gjashtë mijë eurosh në muaj kur të largohen nga posti.
Sidoqoftë, presidenti i tanishëm do ta ndryshojë këtë gjë dhe do ta sjellë një skemë të re pensionale për presidentin, bashkë me tërë sistemin pensional të vendit. Kështu njoftoi zyra e tij, duke e konfirmuar një raportim të mëparshëm të gazetës “Le Parisien”.
Protestat dhe grevat e punëtorëve të sektorit publik, të cilat filluan para dy javësh, kanë shkaktuar tollovi në mbarë vendin për shkak të ndërprerjes së pjesshme të shërbimeve të trenave dhe rrjetit të transportit publik.
Duke folur të shtunën gjatë një vizite në Bregun e Fildishtë, presidenti Macron bëri thirrje që sindikatat t’i pezullojnë protestat dhe grevat gjatë festave të fundvitit me qëllim që të mos shkaktohen tollovi.
Pavarësisht kësaj deklarate, sindikatat e punëtorëve të hekurudhave janë zotuar se do t’i vazhdojnë grevat edhe gjatë ditëve të ardhshme, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.