Macron: Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sonte se në një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, ai tha se Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me qëllim arritjen e një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme.

“Franca ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës për të ndërtuar një paqe të fortë dhe të qëndrueshme, të aftë të garantojë sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës dhe Evropës në planin afatgjatë. Falënderoj të gjithë negociatorët – ukrainas, evropianë dhe amerikanë – që po punojnë drejt këtij qëllimi”, shkroi Macron në platformën X.

Presidenti francez tha se sapo kishte folur me Presidentin Zelensky.

“Amerikanët, evropianët dhe ukrainasit kërkojnë paqe. Ndërsa Rusia vazhdon luftën e saj agresive, Ukraina mbetet e palëkundur”, shtoi ai.

Zelensky dhe delegacioni i tij ndodhen në Berlin, ku sonte dhe nesër do të përpiqen të bindin Uashingtonin dhe Evropën që të refuzojnë lëshimet territoriale ndaj Rusisë në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.