“Ma morën fëmijën nga krahët…”: Nëna dëshmon për tmerrin me dy qenë në rrethinën e Kërçovës

Leni Angelloska-Zdravevska nga Gostivari ka kërkuar publikisht reagim nga institucionet pasi, siç pretendon ajo, dy qen agresivë kanë sulmuar atë dhe dy fëmijët e saj të mitur në fshatin Drugovë të Kërçovës.

​Sipas postimit të saj, incidenti ka ndodhur më 22 maj, teksa ajo ishte për një shëtitje të shkurtër me fëmijët.

​“Në panik e sipër, fëmijën më të vogël e ngrita në krahë, ndërsa me dorën tjetër u përpoqa të mbroja vajzën më të madhe duke e fshehur pas meje. Në atë moment, njëri nga qentë ma tërhoqi fëmijën e vogël nga krahët dhe ai ra mbi pllakat e betonit”, ka shkruar ajo.

​Ajo pretendon se më pas ka shfaqur edhe një qen i dytë, i cili e ka sulmuar me agresivitet.

​“Më kapi për duks dhe ma tërhoqi përsëri fëmijën. Fëmija zvarritej mbi pllaka”, shprehet Angelloska-Zdravevska.

​Në një moment, sipas saj, pranë tyre ka ndaluar një makinë dhe fëmija ka përfunduar pothuajse nën rrotën e parme.

​“Me forcat e fundit arrita ta tërheq, e mora në krahë dhe hyra në oborrin e fqinjëve për t’u shpëtuar. Por, qentë vazhdonin të ktheheshin pas nesh”, shkruan ajo.

​Ajo shton se fëmija ka pësuar lëndime trupore, të cilat janë konstatuar në Qendrën Mjekësore në Kërçovë.
​Gjithashtu, ajo pretendon se pronari i qenve nuk ka treguar asnjë lloj shqetësimi për ngjarjen.

​“Më e tmerrshmja nga të gjitha është se njeriu që i mban qentë, u përgjigj me gjakftohtësi se ‘nuk ka gjë’ dhe nuk tregoi asnjë kujdes, përgjegjësi apo njerëzi”, thekson ajo.

​Sipas postimit, rasti është denoncuar në MPB (Ministrinë e Punëve të Brendshme) përmes Ndihmës së Shpejtë, ndërsa ajo ka dhënë edhe një deklaratë zyrtare.
​“Këtë nuk po e ndaj për të bërë dramë, por sepse sot ishte fëmija im — nesër mund të jetë i dikujt tjetër”, porosit Angelloska-Zdravevska.