LVV po e analizon situatën e zgjedhjeve: Nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kanë mbajtur një mbledhje një mbledhje të gjatë për ta analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Në njoftimin e të publikuar në Facebook nga LVV-ja thuhet se ata do të vazhdojnë të bëjnë analizën e tyre sa i përket rezultatit që kanë marrë.

“E para është vetëkritika. Kemi hapësirë e nevojë për një gjë të tillë. Nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore. Diku kemi qenë shumë larg e diku kemi qenë shumë afër fitores. Të gjithë kemi mundur të bëjmë më shumë. Diku me kandidatin, diku me programin, diku me komunikimin, diku me angazhimin. Na ka munguar optimizmi në veprim. Nuk i kemi shtyrë limitet e vetvetes. Megjithëse jemi përpjekur. Nuk flasim për dhjetëra por qindra janë aktivitetet e secilës Qendër tonë”.

“Niveli i tretë organizativ ka kordinuar 1054 vizita kurse nga vetë Qendrat janë organizaur shumë më shumë se kaq aktivitete. Disa prej tyre ku raportet janë të gatshme i kapin këto shifra: Gjilani 403 aktivitete, Gjakova 440, Dardana 620, Rahoveci 470, Besiana 398, Shtimja 324. Të gjitha fshatrat e lagjet sigurisht që janë vizituar por duhej edhe nënlagjet edhe komunitetet e ndryshme, derisa programi ynë të arrinte te secili e secila qytetare. Kemi kontaktuar e organizuar vizita edhe në mërgatë, në Zvicër e Gjermani me kandidatët Alban Hyseni dhe Mimoza Kusari. Jemi mirënjohës për secilën votë të nisur nga mërgata që janë gjithsejt 790”.

Sipas VV-së, në këtë rezultat ka ndikuar edhe ajo se kanë pasur vetëm dy gra kandidate për kryetare si dhe pandemia ua ka pamundësuar zhvillimin e tubimeve.

“Një mosrealizim i synimit tonë është fakti që kishim vetëm dy gra kandidate për kryetare. Sidoqoftë, komunikimi dhe vëmendja jonë ishte tek gratë e vajzat. Vetëm në periudhën e balotazhit janë organizuar 93 aktivitete të veçanta me gra e vajza duke llogaritur që pothuajse në të gjitha aktivitetet e tjera ka pasur pjesëmarrje të grave por jo në nivele të barabarta me pjesëmarrësit burra”.

“Pandemia ndërkaq, ka goditur mjetin tonë të veprimit e komunikimit me njëri – tjetrin e qytetarët: tubimet e mesme e të mëdha. Nuk kemi mundur ta përdorim këtë mjet e gjithashtu nuk kemi gjetur një zëvendësim efikas për këtë”.

Tutje, në njoftim thuhet se subjektet tjera politike janë bërë bashkë kundrejt tyre si dhe janë duke i kopjuar ata.

“Tash, të rëndësishme janë mesazhet që qytetarët na i kanë dërguar. Këto zgjedhje kanë qenë mësim për ne. Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme. Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin. Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyja u pengon VETËVENDOSJA!. Andaj e luftuan bashkë”.

“Edhe heshturazi edhe zhurmshëm. Ata nuk kanë ndryshuar. Kanë mbajtur veç zgjedhjet e tyre të brendshme por janë të njëjtë për së jashtmi. Për qytetarët mbesin të njëjtë. Meqë sot nuk mund ta zhvillojnë korrupsionin prej kateve të ndryshme qeveritare ata po duan të provojnë nëpër komunat e ndryshme të qyteteve. Prej lartë, po duan ta zbresin më poshtë. Aty është edhe më i dëmshëm. I prek e gjymton edhe më shumë jetët e qytetarëve. Kryesisht nëpërmjet mafisë së ndërtimit. Këtu do të jetë lufta jonë dhe duhet të jemi syçelë”.

“Sot të gjitha subjektet politike po na kopjojnë. Por na kopjojnë në metodat tona. Ata po duan të fitojnë si ne por jo të bëhen si ne. Ky është thelbi. Ne nuk kemi fituar sepse kemi protestuar por sepse kemi pasur të drejtë. Ne nuk jemi të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për metodat tona por për kauzat tona. Andaj, ata janë në sinkron në deklarata, në metoda dhe në rreshtim. Ata e kanë pasion pushtetin, ne politikën”, thuhet në njoftim.