LVV-ja tejkaloi buxhetin partiak për 700 mijë euro në periudhën tetor-dhjetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat për shpenzimet e partive për TM4 të vitit të kaluar, që përfshin periudhën tetor-dhjetor.

Gjatë kësaj periudhe, partitë politike kanë qenë në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, raporton Klankosova.tv.

Në bazë të shifrave të dhëna nga KQZ, shihet se Lëvizja Vetëvendosje, për këtë periudhë kohore, buxhetin e paracaktuar e ka pasur 550,799.34 euro.

Mirëpo, raporti thotë se kjo parti ka shpenzuar 712,573.11 euro më shumë sesa buxheti i paraparë.

Gjithsej, LVV-ja ka shpenzuar 1,263,372.45 euro.

Kategoria me më së shumti shpenzime, sipas raportit të KQZ-së, del të jetë ajo “Mallra dhe shpenzime” me mbi 1 milion euro.

Pastaj është edhe kategoria tjetër, “Blerje tjera të mallrave dhe shërbimeve” me mbi 421 mijë euro.

Gjithashtu, kjo parti për këta tre muaj të fundit të vitit të kaluar, ka shpenzuar edhe mbi 311 mijë euro për Marketing. Nga kjo shumë, LVV-ja ka paguar mbi 250 mijë euro për “Shpenzime për informim publik”. Ndërkaq, për “Reklama dhe konkurse” janë paguar mbi 60 mijë euro.

Për lëndë djegëse, Lëvizja Vetëvendosje gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar mbi 91 mijë euro. /Klankosova.tv