Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të caktuar mandatarin për kryeministër të Kosovës.
Është e paqartë se kush do të jetë kësaj radhe mandatari për kryeministër, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, më 26 tetor dështoi të siguronte 61 vota për formimin e ekzekutivit të ri.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.
Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Partia e tij ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./REL




