NGA LUTFI DERVISHI
Imagjinoni për një moment sikur Dritan Goxhaj të ishte ish-drejtor i AKSHI-t me akuzën për “organizatë kriminale”.
Ose sikur të ishte ideatori i inceneratorëve që, tamam si legjendat, përmenden pa fund, por askush nuk i ka parë. Ose sikur t’i gjendeshin në telefon biseda të tipit: “Këtë tenderin e merr X.”
Ose t’i dilnin nja 500 mijë euro në oxhakun e shtëpisë.
Ose nja 3 milionë euro në bagazhin e një Toyota Yaris, të sistemuara aq bukur sa makina të mos kishte nevojë as për amortizatorë.
Ose të dilte në përgjimet e Sky ECC duke porositur vrasje me të njëjtën lehtësi me të cilën porositet një makiato në Bllok.
Ose të shpallej investitor strategjik dhe të ndërtonte mbi ndonjë “pikë të vockël” në ndonjë zonë të mbrojtur në Jug.
Me pak fjalë, imagjinoni sikur të kishte një apo disa nga këto “merita”. Më e pakta do të ishte deputet ose analist i pavarur në televizion.
Por jo. Dritani bëri një gabim fatal: lexoi pesë pikat e protestës dhe, çfarë është më e keqja, i lexoi pa gabime drejtshkrimore. Kjo po që mund të konsiderohet rrezik kombëtar. Kaq. Një njeri pa akuzë, pa dosje, pa hetim, pa pasuri të fshehura, pa lidhje me bandat e kartelet, pa përgjime ku premton vende pune e tendera, pa koncesione e pa status special.
Një njeri që dikur la komoditetin, punën dhe rrogën dhe shkoi të luftonte për çlirimin e Kosovës, sot ka arritur statusin më të rrezikshëm në Republikë: është në shënjestër. Dhe e kanë marrë në shënjestër nga mëngjesi në darkë. Sepse të jesh i pastër, të jesh pa akuzë, është provokim, është ofendim për sistemin, është prishje e ekuilibrit ekologjik të korrupsionit.
Siç do të thoshte Fishta: “Nëse ke bisht ta presin, nëse nuk ke ta ngjesin.” Këta janë kaq të talentuar në sulme, sa po t’u lihet dorë e lirë, jo vetëm e bëjnë priftin me barrë, por më pas i kërkojnë të paguajë edhe detyrimet e rritjes së fëmijës.



