Lushtaku dhe gjeneral Rama vizitojnë Thaçin në Hagë

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit nënkryetar i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vizituar të shtunën ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.

Lushtaku ishte i shoqëruar edhe nga gjenerali dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama dhe bashkëluftëtari i tyre, Hisni Thaçi.

“Sot së bashku me Gjeneralin Rrahman Rama e bashkëluftëtarin Hisni Thaçi, vizituam në Hagë mikun tonë, Presidentin Hashim Thaçi”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Lushtaku ka thënë se Thaçi bashkë me ish-luftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fund të këtij procesi do të dalin fitimtarë.

“I fortë si gjithmonë, me qëndrim dinjitoz prej një burrështetasi, Presidenti Thaçi bashkë me të gjithë bashkëluftëtarët e tjerë, në fund të këtij procesi do të dalin fitimtarë!”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të 2020-s.

Ata akuzohen se kanë kryer krime dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Krasniqi e Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.