Në një letër të hapur dhe tejet të fuqishme drejtuar organizatës studentore serbe “Studentët në bllokadë”, profesoresha dhe intelektualja e njohur nga Kosova, Prof. Dr. Luljeta Pula, ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë me të ashtuquajturin “Memorandum” të tyre, duke vlerësuar se brezi i ri në Serbi ka mbetur peng i mitologjisë shovinishte dhe projekteve fashiste që shkaktuan tragjedi biblike në Ballkan, përcjell INA.
Ja letra e plotë e Prof. Dr. Luljeta Pula:
LETËR E HAPUR ORGANIZATËS STUDENTORE TË SERBISË ‘’STUDENTËT NË BLLOKADË’’ MBI TË ASHTUQUAJTURIN MEMORANDUM
Të nderuar studentë të Serbisë,
Po ju drejtohem si profesoreshë Universiteti, me 44 vitet e mia të përvojës akademike. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam punuar me studentët e mi shqiptarë, dhe për më shumë se 10 vite u kam ligjëruar edhe studentëve serbë, të cilët i kam trajtuar gjithmonë me drejtësi, korrektohet, barazi dhe me dinjitet të plotë njerëzor.
Për shumë prej nesh në Kosovë, protestat tuaja, fillimisht, zgjuan simpati. Mendonim, në fakt, se një brez i ri në Serbi po ngre zërin kundër korrupsionit, autoritarizmit dhe trashëgimisë së errët politike, e cila e ka mbajtur shoqërinë serbe në robëri për dekada me radhë.
Por, mbetëm thellësisht të zhgënjyer, jo nga narrativa nacionaliste, por nga ajo shoviniste e një ‘’dokumenti’’, të ashtuquajturit Memorandum, të cilin ju e keni hartuar. Pra, një brez i ri serb, i cili, për çudinë e të gjithëve, erdhi si vazhdimësi e narrativës tradicionale nacionaliste serbe.
Lëvizja juaj protestuese studentore në Serbi dukej si një lëvizje kundër korrupsionit dhe autoritarizmit, dhe si një lëvizje për demokraci. Këtë përshtypje linte në fillim. Shihej me simpati dhe mbështetje, sepse dukej si lëvizje e një gjenerate të re, me një vetëdije dhe mentalitet tjetër, që lufton për demokratizimin e Serbisë.
Prandaj, ‘’Dokumenti’’ juaj është një zhgënjim i thellë. Ai tregoi se edhe gjenerata e re mbetet e zënë rob në mitin politik për Kosovën. Në të njëjtin mit që ushqeu ideologjinë e Memorandumi të SANU-s, me nacionalizmin agresiv të viteve të 90-ta, dhe tragjedinë më të madhe që ka përjetuar Ballkani pas Luftës së Dytë Botërore.
Në Memorandumin tuaj, shqiptarët as që përmenden fare. Pra, 95% e popullsisë së Kosovës. Kjo në vetvete flet për ju dhe për shovinizmin tuaj të verbër, dhe jo thjesht nacionalizëm. Dhe, për çudi të madhe, pothuajse asnjë reagim, as nga figurat më të moderuara, as nga shoqëria civile. Përveç deklaratës së z. Zharko Koraq (Željko Korać) dhe një komentimi disi korrekt në të përditshmen Danas. Për habinë time të pakëndshme, pasoi mbështetja e zonjës Vesna Peshiq për këtë Memorandum. Heshtja totale dhe mukoza janë pjesë e një psikoze kolektive shoqërore. Asnjë zë madje as nga ata që publikisht angazhohen për një Serbi demokratike, liberale dhe pro-evropiane. Ndërsa kjo heshtje kolektive ndaj këtij artikulimi radikal të brezit të ri, është një paralajmërim dhe mesazh për një vetëdijësim shumë të largët të Serbisë.
Tani dua t’i referohem disa pikave tuaja në tekstin e ‘’Memorandumi’’ tuaj.
Fatkeqësisht, ajo që shihet menjëherë në tekst është se ju, gjenerata e re e Serbisë, nuk jeni çliruar aspak nga mitologjia politike për Kosovën. Keni mbetur pengje të ideologjive dhe strategjive të kaluara shoviniste të ideatorëve tuaj ekstremë nacionalistë, të cilët i shkaktuan aq shumë fatkeqësi dhe tragjedi shumë popujve, e në mesin e tyre edhe popullit tim shqiptar. Është e qartë se ju nuk jeni ndarë nga miti serb për Kosovën.
Ju, në vend që të jeni një gjeneratë e një mentaliteti tjetër, pas gjithë atyre tragjedive të shkaktuara në këto hapësira pikërisht për shkak të këtij qasjeje dhe mitologjie politike, ju, fatkeqësisht, po vazhdoni të helmoheni nga një ideologji e ngjashme e kohës së SANU-s, nga Memorandumi i tyre famëkeq dhe nga projektet zlogmëdha të Vaso Çubrilloviqit.
Është e dhimbshme që ju, pas gjithë atyre tmerreve që Serbia shkaktoi me synimet dhe pretendimet e saj hegjemoniste, si dhe me obsesionin e ‘’popullit qiellor’’, po vazhdoni me të njëjtin zakon vdekjeprurës. Vërtet, është më se e dhimbshme që pikërisht rinia të jetë aq e egërsuar dhe e helmuar me idetë e strategëve shovinistë dhe fashistë serbë, të cilët me idetë e tyre ishin parafjala politike e tragjedisë biblike të popujve në këto hapësira. Dhe që pikërisht rinia juaj të mbetet peng e kësaj politike vrastare, e cila për të gjitha kohërat i la popullit serb hipotekën e një populli kriminal.
Në vend që rinia serb, pas të gjithave, të jetë e dëshpëruar, e zhgënjyer dhe me ndjenjë faji për atë që Serbia u shkaktoi popujve të tjerë, për atë që ndodhi; pra, në vend që ajo të shprehë pendesë dhe të kërkojë falje në emër të atyre që kryen krimin e që kurrë nuk kërkuan falje; në vend që pikërisht rinia serb të përpiqet të zbehë njollën e tmerrshme të krimit mbi trupin e popullit të vet, ajo vazhdon rrugën e njëjtë. Me mitin serb dhe me ideatrinë shoviniste e nacionaliste të paraardhësve të saj. E cila, dihet se ku çon.
Kosova nuk është ‘’Kosovë dhe Metohi’’ siç e quani ju në atë Memorandumin tuaj, në përpjekje për të provuar pronësinë tuaj mbi të. Kosova sot është një shtet i pavarur dhe sovran, ju pëlqeu apo jo. E njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës. E ashtuquajtura Kosovë dhe Metohi, siç e quani ju në mënyrë pejorative Kosovën, është një konstruksion dhe krijesë e juaja historike, politike dhe ideologjike, që në diskursin tuaj synon të theksojë pretendimin shtetëror, historik dhe kishtar mbi Kosovën. Ndërsa për ne shqiptarët, përdorimi i këtij emërtimi është provokues dhe pejorativ. Sepse ai është i lidhur me mohimin e identitetit politik dhe kombëtar të Kosovës.
Duke e quajtur Kosovën “Kosovë dhe Metohi”, ju as nuk e bëni atë zemër dhe shpirt historik të shtetit serb, as nuk e lidhni me kishën ortodokse serbe. As nuk mund t’i frymëzoni këto hapësira me identitetin ‘’të shenjtë’’ serb. Përdorimi i këtij emërtimi sot nuk është një rastësi juridike. Kjo është vetëm një deklaratë dhe proklamatë e thjeshtë politike. Me këtë terminologji dhe këtë diskurs, Serbia as nuk mund të mbajë identitetin politik të ‘’pronësisë historike’’ serbe, as nuk mund të njohë me të mitologjinë nacionaliste serbe. E cila, e dimë, është e lidhur me represionin sistematik ndaj shqiptarëve dhe kolonizimin serb. Pikërisht për këtë arsye, në diskursin publik shqiptar, ky emërtim i juaj është ideologjik, kolonialist dhe provokues.
Ky emërtim, pra, nuk është një emërtim administrativ. Ai është pjesë e një narrative të njohur: ‘’Kosova është Serbi, sepse është tokë e Kishës dhe e sakrificës serbe’’. Ju vazhdoni edhe sot e kësaj dite ta përdorni këtë emërtim sepse mendoni se në këtë mënyrë mund të riafirmoni sovranitetin serb mbi Kosovën. Sepse në këtë mënyrë mobilizoni ndjenjat dhe emocionet nacionaliste. Dhe kështu ruani narrativën historike serbe. Por Kosova, dhe jo Kosova dhe Metohija, sot është një shtet sovran, dhe ky realitet, me narrativën tuaj ose pa të, është një realitet i pakthyeshëm.
Fakti që ju me definim kushtetues e konsideroni Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë në Kushtetutën tuaj, është çështje e juaja. Sepse letra duron gjithçka. Por realiteti është krejtësisht ndryshe. Dhe sa më parë t’ia pranoni vetes realitetin faktik, aq më mirë do të jetë për ju dhe për Serbinë. Në vend të paranojave, iluzioneve dhe ëndrrave që nuk çojnë askund.
Për çfarë mbrojtjeje të rendit kushtetues të Serbisë në Kosovë flisni ju në ‘’Dokumentin’’ tuaj? Është e paqartë. Kosova ka Kushtetutën e saj, dhe sipas saj, komunitetit serb i janë garantuar dhe njohur, përmes diskriminimit pozitiv, të drejta të tilla që nuk i gëzon asnjë komunitet nacional në Evropë.
Thoni se ‘’Kosova është pjesë e identitetit kombëtar serb’’. Ndërkohë që në Kosovë jeton 95% e popullsisë etnike shqiptare. Dhe me Planin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është ndërtuar Kushtetuta e Kosovës, ekziston një mbrojtje enorme, e rregulluar me ligj, e trashëgimisë kulturore dhe identitare të komunitetit serb.
Thoni pastaj se ‘’Serbia duhet të kërkojë zgjidhje në kuadër të Kushtetutës së saj’’. Çfarë zgjidhjeje mendoni të gjeni, kur Kosova tani është një histori e përfunduar dhe një fakt i pamohueshëm? Pra, ajo është shtet i pavarur dhe sovran. Këto dhe formulimet tuaja të tilla janë pikërisht vazhdimësi e mentalitetit të vjetër të SANU-s, të Memorandumi të tyre të vitit 1986, dhe e miteve politike që ushqyen luftërat në Jugosllavi.
Nuk do të dëshiroja të hyja në të drejtën historike dhe në polemika se e kujt është çfarë, kujt çfarë i takon dhe e kujt është pronë Kosova. Sepse konsideroj se ky është një kuazi-argument i panevojshëm, i tejkaluar dhe irelevant në këtë kohë, dhe që nuk çon asgjëkund. Por, nëse po e doni patjetër atë, pra të vërtetën e vërtetuar me fakte historike, atëherë po jua them! Shqiptarët, pra paraardhësit e tyre iliro-dardanët, janë popullsi autoktone në këto hapësira, shumë kohë para ardhjes së sllavëve në Ballkan, pra në shekujt VI-VII. Dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm, i vërtetuar shkencërisht.
Kosova gjatë historisë nuk ka qenë kurrë ekskluzivisht tokë serbe, por një hapësirë shumëkombëshe. Mbretëria mesjetare serbe e ka pasur qendrën në Kosovë për një periudhë relativisht të shkurtër historike.
Ndërsa miti juaj për ‘’Djepin e Serbisë’’ është krijuar veçanërisht në shekujt XIX dhe XX si një instrument nacionalist. E politika serbe e shekullit XX është mbështetur kryesisht në idenë e ‘’Tokës së Shenjtë’’, duke arsyetuar në këtë mënyrë dominimin politik dhe represionin mbi popullsinë autoktone etnike shqiptare.
Në këtë kuptim, miti nuk është thjesht emocional. Sepse ai ka prodhuar pasoja konkrete politike dhe tragjike. Ka një sërë faktesh të pafundme historike që e rrëzojnë narrativën nacionaliste serbe, dhe ato mund të vërtetohen me fakte të pakundërshtueshme:
Kolonizimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912
Përndjekja sistematike e shqiptarëve
Projektet e Vaso Çubrilloviqit për spastrimin etnik të shqiptarëve
Represioni i pandërprerë mbi shqiptarët në Jugosllavi
Suprimimi i dhunshëm i autonomisë së Kosovës në vitin 1989
Lufta e viteve 1998–1999.
Prandaj, miti për Kosovën si djep i identitetit dhe kulturës serbe, është më shumë një emocion i juaji, një fiksim dhe një obsesion pa mbulesë.
Çfarë duhet të themi ne shqiptarët për terrorin qindvjeçar të Serbisë mbi Kosovën?
Dhe tani ju pyes, si mendoni ju ta ktheni Kosovën? Me luftë? T’i shpallni luftë paktit NATO? Apo ndoshta me represion? Duke përsëritur tragjeditë?
Ne edhe sot e kësaj dite po vajtojmë 1433 fëmijët tanë, që na i vrau Serbia gjatë luftës; ende mbajmë zi për mbi 14,000 civilë të pafajshëm, gra, burra, të rinj e të moshuar që shteti i Serbisë na i ekzekutoi dhe masakroi gjatë luftës, si dhe për mbi 20,000 gra të dhunuara nga fashizmi i tërbuar serb.
Ne ende nga hiri i luftës po ngremë shtëpitë dhe jetët tona. Pas një lufte të tërbuar dhe të çmendur. Ne ende po kërkojmë mbi 1000 të rinj të pagjetur, nëpër varrezat masive serbe nëpër Serbi, edhe sot pas 27 viteve.
Në vend që gjeneratat tuaja të ballafaqohen me të kaluarën e hidhur, dhe të çlirohen nga obsesioni historik për Kosovën, ju vazhdoni të ushqeni të njëjtën narrativë emocionale, e cila për dekada e ka izoluar Serbinë nga e ardhmja.
Dhe tani dua të them se, doni apo s’doni ju, Kosova është një realitet politik dhe juridik. Dhe dua, ndoshta me qëllim ta përsëris edhe një herë, se sa më parë ta pranoni realitetin që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur në mbarë botën, dhe sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me konfirmimin ligjor të fituar se shpallja e pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Pra, sa më parë ta pranoni këtë të vërtetë dhe realitet të pakundërshtueshëm, aq më parë do të jetë më mirë për Serbinë dhe të ardhmen e saj. Për kthimin tuaj drejt së ardhmes dhe demokratizimit të Serbisë. Sepse vetëm një Serbi demokratike, dhe çlirimi juaj emocional-obsesiv nga miti për Kosovën dhe mitet hegjemoniste, është rruga e vetme drejt progresit dhe prosperitetit.
Ju nuk mund ta ndërtoni të ardhmen mbi mitet mesjetare dhe emocionet nacionaliste. E ardhmja ndërtohet mbi demokracinë e vërtetë, mbi përgjegjësinë morale dhe respektimin e lirisë së popujve të tjerë.
Po ju flas si profesoreshë.
Si intelektuale.
Si nënë dhe si gjyshe.
Dhe si një grua që ka kaluar, ka parë dhe ka përjetuar shumë dhimbje e tmerre, në luftën tonë dhe timen për lirinë e Kosovës! Për lirinë e Kosovës sonë dhe sime!
Prandaj, ideja juaj për një ‘’kthim’’ të Kosovës në Serbi, është politikisht joreale, moralisht e rrezikshme dhe thjesht e pamundur! Ndaj mos lejoni që gjenerata juaj të mbetet peng e ideologjive që kanë ushqyer dhe sjellë vetëm luftë, tmerre, mjerim, urrejtje dhe tragjedi! Pranoni realitetin! Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe së ardhmes!
PROF. DR. LULJETA PULA



