Luftime të ashpra në jug të Gazës, militantët e Hamasit arrijnë të kapin një mjet të blinduar të izraelitëve

Grupi militant palestinez Hamas ka publikuar pamjet e betejës së ashpër në jug të Rripit të Gazës, ku shihen pjesëtarët e këtij grupi duke shkrepur predha mbi mjetet e blinduara izraelite dhe marrin pjesë në luftime të ashpra.

Në video mund të shihen pjesëtarët e Brigadës Izz ad-Din Qassam duke gjuajtur mjetet e izraelitëve në Gazë, kurse në fund të video shihet sesi kanë arritur të kapin një mjet të blinduar të IDF-së izraelite.

Hamasi përdori predhat Yassin-105 që janë prodhuar brenda Rripit të Gazës, e pamjet e luftimeve janë realizuar në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Izraeli javën e kaluar vazhdoi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, pas përfundimit të armëpushimit njëjavor me Hamasin.

Nga ana tjetër, nga ministria palestineze e Shëndetësisë është bërë e ditur se në Rripin e Gazës deri më tani janë vrarë 18.608 palestinezë dhe mbi 50.594 tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve ajrore dhe atyre tokësore të ushtrisë izraelite.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami e kisha janë shkatërruar nga sulmet izraelite në enklavën e pushtuar.