Luftë në rrjetet sociale për rastin “Reket”

Prokurori publik, Lubomir Joveski për Alsat tha se i ndjek të gjitha shkrimet lidhur me rastin “Reket”, por konsideron që pa ndonjë provë apo emër konkret, informacionet mbeten thjesht vetëm spekulime. Një ditë më parë portali “Veçer” publikoi që Boki 13 kinse në dëshminë para prokurores Ruskoska ka thënë që paratë e zhvatjes ua ka dorëzuar disa personave të afërt me Zaevin, por përgënjeshtrimi për këtë erdhi personalisht nga prokurorja Ruskoska, e cila tha që Boki 13 në dëshminë e tij para Vitit të Ri, nuk ka përmendur asnjë emër. Pas portalit “Veçer”, edhe gazetari Branko Geroski në një kolumnë, pa saktësuar emra, paralajmëroi që nëse të akuzuarit “flasin”, do të mund të mësohet përfshirja në “Reket” e pesë personave të afërt me pushtetin. Prokurori republikan, Joveski u bën thirrje të gjithëve që kanë çfarëdo prove, ta dorëzojnë.

Prokuroria edhe njëherë thekson që nuk disponojmë me të dhëna të tjera, apo emra të tjerë të përfshirë në “Reket”. Nëse dikush tjetër posedon, le t’i dorëzojë pranë Prokurorisë për të vepruar. I kemi parasysh të gjitha shkrimet, por nëse dikush tregon provë konkrete, ndonjë dokument, tërë këtë do ta marrim dhe do të veprojmë. Lënda zhvillohet në mënyrë jo- selektive – tha për Alsat, Lubomir Joveski- Prokuror Publik.

Joveski i hedh poshtë si spekulime edhe pretendimet se BOKI 13 ka kërkuar ta dërgojnë tek ai për të dhënë informacione të besueshme. Prokurori Joveski thotë se Boki 13 deri më tani i është drejtuar vetëm një herë në formë të shkruar duke u ankuar për gjendjen e rëndë shëndetësore.

Nuk ka kërkuar takim të tillë. Bojan Jovanovski aktualisht është në gjykatë, dhe nëse dëshiron, ka fakte ose rrethana, që të gjitha mund t’i tregojë publikisht në seancë gjyqësore – u shpreh Ljubomir Joveski – Prokuror Publik.

Procesi gjyqësor për rastin “Reket” është në vijim për të pandehurit Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva, pasi Zoran Milevski tashmë ka pranuar fajin dhe ka marrë tre vjet burg. Dy ditë më parë, është ngritur aktakuzë edhe kundër Lidhjes Ndërkombëtare si person juridik. Edhe në këtë rast, i pari i akuzuar përsëri është Bojan Jovanovski, i cili si kryetar i organizatës akuzohet për mashtrim dhe pastrim parash. Aktakuza i përfshin si ndihmës në mashtrim edhe deputeten Frosina Remenski, nënkryetaren e Lidhjes, si dhe asistenten e Boki 13, Hristina Blazhevska. Së bashku me Mandiçin dhe Bllazevskën, babai i Bokit, Mile Jovanovski, gjithashtu akuzohet se ndihmoi në pastrimin e parave. Për këtë aktakuzë, deputetja Remenski reagoi se qëllimi është eliminimi i saj politik.