Vazhdojnë të rriten tensionet në det mes NATO-s dhe Rusisë. Anija më e fuqishme luftarake e Marinës ruse, e quajtur “Varyag” aktualisht ndodhet disa dhjetëra kilometra larg nga Salento, në Itali, në hapësirën detare midis Italisë dhe Korfuzit, jo shumë larg kufirit detar të Shqipërisë.
“Varyag” po lëviz në detin Jon e shoqëruar nga një anije tjetër mbështetëse, e quajtur “Admiral Tributs”, e cila e mbron atë nga sulmet e mundshme ajrore ose me nëndetëse.
Faqja “The Shipyard” ngriti alarmin të hënën, duke sqaruar se “Varyag” është anije e një prej njësive më të fuqishme shkatërruese që Moska ka vendosur në Mesdhe, në një përpjekje për të rritur tensionin me NATO-n.
Rruga e “Varyag” nuk është ende e qartë, me disa analistë që mendojnë se mund të futet në Adriatik duke qëndruar gjithmonë në brezin detar ndërkombëtar. Për t’iu kundërpërgjigjur Moskës, në Mesdhe ka mbërritur ditën e hënë aeroplanmbajtësja gjigante e SHBA-së, “Truman”.





