Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me dekada, pretendimi i aleatit të Putinit

Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me dekada, ka thënë një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA.

Ish-presidenti Dmitry Medvedev tha se situata mund të kthehet në një konflikt të karakterizuar nga periudha të gjata luftimesh të ndërthurura nga armëpushimet.

Medvedev, nënkryetari i këshillit të sigurisë së Putinit, i bëri komentet gjatë një vizite në Vietnam.

“Ky konflikt do të zgjasë një kohë shumë të gjatë, ka shumë gjasa me dekada”, raportohet të ketë thënë Medvedev.

“Për sa kohë që ekziston një fuqi e tillë, do të ketë, të themi, tre vjet armëpushim, dy vjet konflikt dhe gjithçka do të përsëritet”, vazhdoi ai.

Në muajin janar, Medvedev pati thënë se nëse Rusia mposhtet, mund të shkaktojë një luftë bërthamore.