Lufta në Iran po rrezikon ushqimin në gjithë botën

Lufta në Iran ka krijuar probleme serioze në transportin detar, sidomos në një rrugë shumë të rëndësishme si Ngushtica e Hormuzit. Për shkak të kësaj situate, është bllokuar një pjesë e madhe e furnizimit me plehra kimike, që përdoren për bujqësinë në gjithë botën.

Sipas kompanisë Yara, aktualisht në botë mungojnë rreth 500 mijë ton plehra që janë thelbësore për rritjen e kulturave bujqësore. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mungesë mund të ketë pasoja shumë të mëdha në prodhimin e ushqimit. Ata thonë se mund të humben deri në 10 miliardë vakte ushqimi në javë në nivel global, sepse pa plehra, tokat prodhojnë shumë më pak. Në disa raste, prodhimi i kulturave bujqësore mund të ulet deri në 50% në sezonin e parë, sidomos për produkte bazë si gruri, orizi dhe misri. Situata po ndikon edhe te çmimet.

Që nga fillimi i konfliktit, çmimi i plehrave kimike është rritur rreth 80%, duke e bërë shumë më të shtrenjtë prodhimin e ushqimit për fermerët. Kjo rritje po i vë ata në vështirësi, sepse shpenzimet për naftë, energji dhe plehra janë rritur, ndërsa çmimi i produkteve bujqësore nuk ka shkuar në të njëjtin nivel. Sipas ekspertëve, vendet më të goditura do të jenë ato në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore, ku bujqësia varet shumë nga plehrat dhe ku tashmë ka probleme me ushqimin. Në disa vende të Afrikës Sub-Sahariane, mungesa e plehrave mund të sjellë rënie edhe më të madhe të prodhimit.

Ndërkohë, paralajmërohet edhe një tjetër rrezik: nëse situata vazhdon, mund të krijohet një “garë” mes vendeve të pasura për të blerë ushqim, duke lënë vendet e varfra pa mjaftueshëm furnizime. Kjo mund të rrisë urinë dhe pasigurinë ushqimore në shumë pjesë të botës. Edhe pse vende si Britania nuk pritet të përballen me mungesë ushqimi, çmimet në dyqane pritet të rriten gjatë muajve të ardhshëm.

Parashikimet flasin për një inflacion ushqimor që mund të arrijë deri në 10% në fund të vitit, ndërsa miliona njerëz në botë mund të bien në pasiguri ushqimore gjatë vitit 2026 nëse kriza vazhdon.