Lufta kundër covid-19, Katari dhuron edhe 10 milion dollarë për OBSH-në

Organizata Botërore të Shëndetit (OBSH), do të marrë një donacion shtesë prej 10 milion USD nga Shteti i Katarit, si mbështetje për sigurimin e pajisjeve të testimit, trajtimin dhe gjetjen e vaksinës kundër Covid-19. Lajmi u bë i ditur të shtunën, nga Ministri i Jashtëm Katarian Sheikh Mohamed bin Abdulrahman Al-Thani, gjatë pjesëmarrjes në samitin “Covid-19”, të zhvilluar nga organizata “Global Citizen” (GC) përmes një videokonference.

Ministri i Jashtëm i Katarit nënvizoi faktin se kjo ndihmë i shtohet kontributit të mëparshëm katarian me vlerë 20 milion dollarë për Aleancën Globale për Vaksina dhe Imunizim (GAVI). Ai u shpreh se vendi i tij është krenar të mbështesë fushatën e ndërmarrë nga GC, me moton “Global Goal: Unite for Our Future” (Qëllimi Global: Të Bashkuar për të Ardhmen Tonë). Në të nëjtën kohë, ai falënderoi Komisionin Europian dhe Global Citizen për këtë nismë.

Sheikh Al Thani theksoi se pandemia e Covid-19 nuk ka vënë në provë vetëm sistemet shëndetësore, arsimore dhe ekonomitë në mbarë botën, por gjithashtu edhe vlerat njerëzore, si dhe aftësinë për një reagim të shpejtë e për të treguar solidaritet përtej kufijve. Ai deklaroi se rritja e mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit politik tani është më e nevojshme në mënyrë që t’iu garantohet të gjithëve akses në testet, trajtimet dhe vaksinat kundër Covid-19.