LSM: Punëtorët po shfrytëzohen, janë dyfish më produktivë se ajo që e fitojnë përmes pagave

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në një reagim publik thonë se punëtorët në Maqedoninë e Veriut krijojnë vlerë më shumë se dyfish më të madhe ekonomike se atë që e fitojnë si pagë, bazuar në të dhënat e Organizatës ndërkombëtare të punës (ILO).

Sipas treguesit për bruto prodhimin e vendit për një orë të punuar, produktiviteti në Maqedoni është rreth 34 dollarë amerikanë për një orë, që është mbi mesataren botërore prej 23,27 dollarë. Llogaritur në nivel mujor, me mesatarisht 168 orë të punuara, një punëtor krijon 297.024 denarë vlerë ekonomike.

Përkundër kësaj, neto paga minimale në shtet është 24.379, që do të thotë se një punëtor i cili merr pagë minimale, fiton vetëm 17 për qind nga vlera që e krijon.

Nga LSM-ja vlerësojnë se shpërndarja e vlerës së krijuar, është “joproporcionale dhe jo e drejtë”, me ç’rast pjesa më e madhe përfundon me profit, investime, amortizim, tatime dhe harxhime tjera kapitale, e jo tek punëtorët.

“Është e qartë se përpjekjet për të ndaluar rritjen e pagës minimale nuk dalin nga produktiviteti i punëtorëve, por nga sa të pasur janë pronarët dhe funksionarët në kurriz të punës së punëtorëve”, njofton LSM-ja.

Sipas sindikatës, produktiviteti i punëtorëve nga vendi është më i lartë se ai i disa vendeve në rajon, si Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria, dhe afër nivelit të Bullgarisë. Megjithatë, paga minimale në Maqedoni mbetet dukshëm më e ulët se shumica e vendeve fqinje.

LSM konkludon se punëtorët shfrytëzohen, e kjo situatë, sipas tyre, mbështetet nga punëdhënësit dhe institucionet, duke theksuar se në shtet ka hapësirë ekonomike për rritje më të madhe të pagave.