Lufta dhe rritja e çmimit të naftës shtojnë frikën e rritjes së çmimeve të produkteve edhe ashtu të shtrenjta në markete. Një familje prej katër personave, për të kaluar vetëm një ditë të muajit me produkte ushqimore bazë, kanë nevojë për mbi 1200 denarë. Nëse fëmijët janë të rinj, do të nevojiten para shtesë për në shkollë, ose për argëtim, gjë që e rrit shumën totale në mbi 1500 denarë, tha për Alsat Lupço Radovski, nga Lidhja e Sindikatave.
“Nëse marrim parasysh se si lëvizin çmimet e produkteve ushqimore, që në një vit kemi artikuj që janë rritur nga 30-40 deri në 50%, tani do të kemi një rritje tjetër pas kësaj krize të naftës dhe mendoj se nëse do të bënim pazar me çmimet që i di si konsumator, shoh se nga 1000 deri në 1200 denarë i duhen një familje katëranëtarëshe për të përmbushur nevojat e përditshme për një tryezë modeste”, deklaroi Lupço Radovski, LSM.
Një pjesë e qytetarëve ankohen për rritje të re të çmimeve, ndërsa pjesa tjetër thonë se nuk kanë ndjerë ndonjë rritje të re.
“Unë dhe gruaja kemi pension dhe shkon disi, përndryshe vetëm ose katër persona me pension është shumë vështirë, shtrenjtë ”, tha një qytetar.
“Çmimet rriten çdo ditë, çfarë mund të them?”, tha një qytetare.
“Këtu çmimet janë tani të mira, pastaj të këqija, si ka mundësi”, tha qytetarja.
Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave, një familje katëranëtareshe ka nevojë për mbi 67,000 denarë për të shtyrë muajin, dhe nëse jetojnë në një apartament me qira, shuma rritet me mbi 82,000 denarë./Alsat.mk.



