LSDM dhe VMRO sot janë përplasur për rrugëtimin eurointegrues të vendit. Derisa LSDM vazhdon me thirrjet për referendum për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, VMRO akuzon se, lideri i LSDM, Venko Filipçe po dëmton interesat kombëtare maqedonase. Trajçe Stoçevski nga LSDM thotë se qeveria nuk mund të arsyetohet me mungesë fondesh për referendum, gjersa akuzoi se shpenzohen para për tenderë dhe luks qeveritar, transmeton Portalb.mk.
“Mickoski thotë ‘do ta paguajmë çmimin’ dhe se duhet të presim me dekada për anëtarësim. Maqedonia do të mbetet pa të rinj, pa popull dhe pa të ardhme. Gur mbi gur nuk do të mbetet. Të rinjtë nuk duan që Hristijan Mickoski të vendosë në emër të tyre dhe t’ua përcaktojë të ardhmen në një shtet të izoluar dhe të bllokuar. Të rinjtë duan të vendosin vetë se në çfarë shteti do të jetojnë”, u shpreh Trajçe Stoçevski, kryetar i rinisë së LSDM.
Nga ana tjetër, partia në pushtet VMRO-DPMNE akuzon liderin e LSDM-së Venko Filipçen se po dëmton interesat kombëtare maqedonase, duke pranuar ndikime dhe qëndrime bullgare në proceset politike dhe eurointegruese të vendit. Sipas tyre, ai mbështet ndryshime kushtetuese dhe interpretime që prekin identitetin dhe historinë maqedonase, duke e vendosur Maqedoninë në pozitë të nënshtruar ndaj Bullgarisë.
“Venko Filipçe është në të njëjtën linjë edhe me ministren bullgare të Radevit, Petrova Çamova. Të dy përsërisin se Maqedonia po negocion me Bashkimin Evropian, e jo me Bullgarinë. Por e vërteta është e qartë: pikërisht Bullgaria, e udhëhequr nga interesat e saj historike dhe politike, po e bllokon dhe vë veton ndaj Republikës së Maqedonisë në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Valentin Manasievski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë në pushtet, VMRO-DPMNE nuk do të lejojë ndryshim apo “zhbërje” të identitetit maqedonas dhe se historia dhe figurat kombëtare sipas tyre nuk duhet të përdoren për pazare politike.
Fitorja bindëse e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një kthesë të rëndësishme politike për vendin, megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ulëta.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.



