LSDM: Përfshirja e pakicave në Kushtetutë forcon identitetin dhe hap rrugën drejt BE-së

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, përmes një konference për media të zëdhënëses dhe anëtares së Bordit Ekzekutiv, Bogdanka Kuzeska, porositi sot se përfshirja e pakicave në Kushtetutë nuk e rrezikon identitetin maqedonas, por e forcon atë dhe e hap shtetin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

​Kuzeska akuzoi se VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski “vazhdojnë të gënjejnë” se ndryshimet kushtetuese përfaqësojnë kërcënim për identitetin maqedonas.

​”E vërteta është e kundërt. Përfshirja e pakicave në Kushtetutë e forcon identitetin kombëtar maqedonas, e nuk e dobëson atë”, theksoi Kuzeska.

​Ajo vuri në dukje se kur të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, janë të definuar dhe të mbrojtur me aktin më të lartë juridik, kjo kontribuon në kohezion më të madh dhe shtetësi më të fortë.

​Si shembull ajo përmendi serbët në Maqedoni, për të cilët tha se janë më të shumtë në numër se bullgarët dhe kroatët, por askush nuk i përjeton si kërcënim për identitetin.
​”Nëse përfshihen bullgarët, kroatët apo pakicat e tjera në Kushtetutë, si e dobëson kjo identitetin maqedonas? Përkundrazi – e forcon atë”, tha Kuzeska.

​Sipas saj, arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të ndryshimeve kushtetuese është bllokimi i integrimeve evropiane dhe frika nga mekanizmat evropianë për luftimin e korrupsionit.

​”Hapja e derës drejt Bashkimit Evropian nënkupton njëkohësisht hapjen e derës për Prokurorinë Publike Evropiane. Dhe pikërisht nga kjo Mickoski dhe grupi i tij kriminal kanë më së shumti frikë”, deklaroi ajo.

​Kuzeska porositi se LSDM mbetet në qëndrimin për “identitet të fortë maqedonas në një Maqedoni të fortë evropiane” dhe vlerësoi se shteti ndodhet para zgjedhjes midis “Maqedonisë evropiane ose izolimit kriminal”.