LSDM ngre alarmin për shëndetësinë: “Tomografët dhe PET-skaneri jashtë funksionit, Klekovski të japë dorëheqje!”

Lidhja Social Demokrate e Maqedonise (LSDM) ka ashpërsuar kritikat ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, duke akuzuar ministrin Sasho Klekovski për gjendjen e rënduar të pajisjeve diagnostikuese në institucionet publike shëndetësore.
Sipas opozitës, prej tri javësh asnjë tomograf kompjuterik nuk funksionon në Qendrën Klinike në Shkup, ndërsa probleme raportohen edhe me PET-skanerin, pajisje e rëndësishme për diagnostikimin e sëmundjeve të rënda.
Nga LSDM thonë se pacientët po përballen me pritje dhe shtyrje të ekzaminimeve, ndërsa mungesa e zgjidhjes po rrezikon diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.
“Pacientët presin, por sëmundja nuk pret”, theksoi Elena Radeska nga Komisioni për Shëndetësi i LSDM-së.
Partia kërkon funksionalizimin urgjent të pajisjeve, sqarimin e vonesave dhe përgjegjësi nga drejtuesit e shëndetësisë, përfshirë ministrin Klekovski.
Pretendimet e opozitës për gjendjen e pajisjeve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.