LSDM ka reaguar ashpër pas anulimit të vizitës së planifikuar të komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, në Serbi, duke e lidhur vendimin me glorifikimin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq.
Kos deklaroi se madhërimi i Mladiqit është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe se rruga drejt BE-së kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.
LSDM akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se në Maqedoninë e Veriut ka mbrojtur zyrtarët Ivan Stoilkoviq dhe Dalibor Kitanovski pas qëndrimeve të tyre lidhur me Mladiqin.
“Nuk ka dorëheqje, nuk ka shkarkime, nuk ka përgjegjësi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas opozitës, politika e Mickoskit po e largon vendin nga BE-ja dhe po e afron me “recetën e Vuçiqit”, duke e akuzuar Qeverinë edhe për një agjendë antievropiane dhe pro-ruse.



