LSDM sot edhe zyrtarisht thirri partitë por edhe shoqatat civile dhe joqeveritare, për formimin e “frontit europian”, i cili siç thonë, do ta mbështesë anëtarësimin e vendit në BE. Ky front do të thotë pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, ndërsa siç tha deputeti Martin Kostovski, qëllimi strategjik do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Shtrijmë dorën për forcat proeuropiane, progresive, demokratike, pa dallime etnike dhe ideologjike. Së bashku, në bazë të principeve europiane dhe vlerave demokratike, të krijojmë frontin europian dhe të realizojmë qëllimin strategjik: Anëtarësim në BE deri në vitin 2030”, tha Martin Kostovski – deputet i LSDM-së.
Deri tani me qëndrim të qartë ka dalë vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili do të jetë pjesë e këtij fronti bashkë me LSDM-në. Nga ana tjetër Lidhja Europiane për Ndryshim e përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa e Lëvizja Demokratike, do të garojnë së bashku dhe nuk do të jenë pjesë e këtij fronti.